Përkujtohen dëshmorët e kombit
Pejë, 27 janar - Sot në fshatin Ruhotë të Pejës janë përkujtuar dëshmorët e kombit, Hamdi Berisha dhe Kasim Shala. Familjarët, bashkëluftëtarët dhe shoqatat e luftës nga Peja dhe Deçani kanë vënë kurora me lule tek varret e këtyre dëshmorëve.
Bashkëluftëtari i dëshmorëve Hamdi Berisha dhe Kasim Shala, Nexhat Berisha, ka rrëfyer çastet e rënies heroike të dy dëshmorëve. Më 27 janar 1999 jemi nisur nga Jabllanica (Shqiponjë) e Gjakovës në drejtim të Shqipërisë për armatim. Gjatë udhëtimit kemi qenë 97 bashkëluftëtarë.
Ndër ta ka qenë dhe Agron Rama. Rreth orës 22:45 kemi rënë në pritë tek ura e Bishtazhinit.
Aty bien dëshmorët e parë të fshatit Ruhot, Hamdi Berisha e Kasim Shala, kurse plagosemi unë dhe Gani Shala, ka treguar për Epokën e re bashkëluftëtari Nexhat Berisha. Sipas tij, prita nga okupatori serb ka bërë që kolona të ndahet në dysh. Aty kolona u nda në dysh, gjysma e ushtarëve kthehen mbrapa, të tjerët kalojnë rrugën dhe nisen për armatim në drejtim të Shqipërisë. Unë me Ganiun tërhiqemi dhe dalim mbi urë dhe shkojmë në fshatin Bishtazhin dhe strehohemi te një shtëpi. Me ne ishte dhe dëshmori Emrish Çeta, është shprehur Berisha.
Ai ka treguar për çastet e fundit të rënies heroike të dy dëshmorëve, Hamdi Berishës dhe Kasim Shalës. Hamdiu dhe Kasimi mbeten të vrarë në urë, kurse ne mbetëm në Bishtazhinë në Urë. Hamdiun dhe Kasimin i kanë tërhequr forcat serbe dhe i kanë drejtuar për në Gjakovë. Ndërkaq, në kolonën e parë kemi qenë unë, Hamdiu dhe Kasimi, ka deklaruar bashkëluftëtari i tyre, Nexhat Berisha.