19 Janar 2025

Përkujtohen 28 dëshmorët dhe 32 martirët e rënë në Kaçanik

Kaçanik, 9 prill - Në dy tubime përkujtimore të ndara, në “Lagje të Re” dhe “Rakoc”, janë përkujtuar në 15-vjetorin e rënies 28 dëshmorë të kombit dhe 32 martirë, të rënë më 9 prill të vitit 1999.

Në vendin e rënies së 19 dëshmorëve dhe 24 martirëve, në Rakoc, kryetari i Komunës, z. Besim ILazi në fjalën e tij ka thënë se edhe sivjet na bashkoi përvjetori i rënies heroike të dëshmorëve të kombit e martirëve. 9 prilli ditë beteje, ditë dhembjeje, ditë krenarie. Dëshmorët ia falën jetën atdheut.

Ata me sakrificën e tyre i dhanë krenarin atdheut dhe të gjithë popullit. Ata vulosën me gjakun e tyre besnikërinë dhe devotshmërinë e përjetshme për vendin që i lindi dhe i rriti. Falë gjakut të derdhur, populli ynë sot jeton i lirë dhe dinjitoz, e fëmijët rriten të gëzuar e pa frikë nga terrori barbar. Dëshmorët i falën lumturinë brezave, e vetes së tyre lumturinë e amshueshme.

Gjaku i tyre u bë themel i Kosovës sonë të lirë e të pavarur, ndërsa neve na obligon për ndërtimin e jetës së re, zhvillimin e vendit dhe forcimin e shtetit demokratik ashtu siç e ëndërruan dëshmorët, e na e lanë amanet, ka thënë mes tjerash kryetari Ilazi.

Në tubimin e organizuar në Rakoc, një fjalë rasti në emër të OVL-UÇK-së e ka mbajtur z. Burim Bajra. Ai ka thënë se lufta dhe sakrifica e çdo populli për liri dhe të drejta janë kërkesa të natyrshme. Të frymëzuar nga brezat e mëhershme dhe patriotët e kohës lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës për të përmbyll kapitullin e parafundit të historisë sonë të re.

Ishte kjo gjenerata që vendosi të marr mbi supe të tyre mbijetesën e kombit tonë. Ishte kjo gjenerata që pati fatin dhe guximin që të marr përgjegjësi para popullit dhe brezave që do të vijnë.

Dëshmorët dhe martirët e rënë janë dëshmia e përjetshme dhe sublime që neve na mbush me lavdi dhe krenari, ka thënë mes tjerash Bajra. Në emër të familjeve të dëshmorëve, të pranishmit i ka falënderuar Arben Fera.

Ai para të pranishmeve u shpreh se ne familjet e dëshmorëve, çmojmë lartë ndjenjën tuaj të solidarizimit e të respektit, jo vetëm për ata që u sakrifikuan e flijuan veten e tyre për lirinë dhe pavarësinë e atdheut, por edhe për ne të gjallët që ishim gjyshër, prindër, vëllezër, motra e fëmijë të tyre.

Ndaj, me gjithë dhembjen që ndiejmë për gjithë ata që u flijuan, kemi kurajon të ndjehemi të nderuar dhe krenarë. Jetojmë me lavdin që i patëm, përfundoi Fera. Në vendin e rënies së 9 dëshmorëve dhe 8 martirëve, pranë pllakës përkujtimore në “Lagjen e Re” fjalë rasti ka mbajtur nënkryetari i Komunës, z. Remzi Elezi.

Ai u shpreh: “Në këtë ditë të shënuar, me pietet përkulemi për të gjithë ata që luftuan dhe flijuan veten e tyre për lirinë dhe pavarësinë e atdheut. Dëshmorët dhe të rënët janë dëshmia e përjetshme dhe sublime e krenarisë sonë kombëtare.

Atdhedashuria dhe flijimi për liri ishte mbjellë me rrënjë nga prijësit dhe patriotët shqiptarë nëpër periudha kohore. Sakrifica e pashembullt dhe vetëflijimi heroik i familjes Jashari në krye me komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare Adem Jashari, stimuluan një solidaritet të madh gjithshqiptarë dhe mbështetje ndërkombëtare për çlirim nga Serbia. E liria kërkonte flijim, sakrificë, vuajtje plagë e gjak. Liria kërkonte edhe qëndresën e pathyeshme e martirizuese të popullit shqiptarë të shumëvuajtur”, tha mes tjerash nënkryetari Elezi.

Ndërkaq, z. Hajrush Kurti në emër të OVL-UÇK-së ka thënë se brenda gjirit të popullit lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në krye të formacioneve ushtarake doli udhëheqja politike dhe ushtarake që me mençuri koordinoi luftën çlirimtare por edhe diplomacinë. Lufta e UÇK-së, ishte e drejt, parimore, legjitime, bashkëkohore, profesionale dhe e bazuar ne traditën luftarake të popullit që organizoi dhe zhvilloi atë, tha mes tjerash z. Kurti.

Ndërkaq në emër të familjeve të dëshmorëve pjesëmarrësit e tubimeve përkujtimore i ka falënderuar Enver Zharku, vëlla i dëshmorit Remzi Zharku. Pranë pllakave përkujtimore e të rënëve janë vendosur kurora lulesh, ndërsa më pas janë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve.

Në Betejën e 9 Prillit, në “Lagje të Re” ranë dëshmorët: Izahir Troni, Mynyr Thaçi, Remzi Zharku, Blerim Raka, Habit Dullovi, Raif Krivanjeva, Fatmir Horuni, Sylejman Kuka dhe Burim Rexha, ndërsa në Betejën e “Rakocit” ranë heroikisht dëshmorët: Fadil Çaka, Nehat Çaka, Faruk Dogani, Muhamet Zeneli, Ilir Zharku, Nexhmush Elezi, Luminije Raka, Jehona Raka, Emsale Frangu, Abdurrahim Shehu, Reshat Shehu, Daut Rakoci, Kjani Bela, Shefket Fera, Nexhmi Fera, Adem Rakoci, Nevzat Çallaku, Mukadeze Muhaxheri-Lika dhe Kadri Trena.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)