Përkthimi në shqip, forcon Asociacionin
Prishtinë, 29 gusht - Përfaqësuesit e Kosovës në bisedimet me Serbinë janë treguar naivë me përkthimin nga anglishtja në shqip të dokumentit bazë të marrëveshjes për Asociacionin e Komunave serbe. Pleqnarët kosovarë ose e kanë përkthyer keq ose qëllimisht para opinionit kosovar po e interpretojnë si të mirë marrëveshjen për Asociacionin.
Kështu kanë vlerësuar analistët politikë në vend, të cilët kanë analizuar disa nga këto përkthime të pasakta. Ata madje thonë se marrëveshja lë hapësirë për dykuptimësi, prandaj sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet të tregohet e vëmendshme gjatë përpilimit të Statutit të Asociacionit në mënyrë që të mos themelohet një asociacion ekzekutiv.
Kështu në tekstin origjinal të marrëveshjes në pikën 3 është përdorur termi Asambleja Kushtetuese ndërsa në shqip është përkthyer si Kuvend themelues. Po ashtu në vend të termit Vëzhgim i plotë është përkthyer vështrim i plotë, e po ashtu është lënë mundësia që Asociacioni të quhet edhe Bashkësi e që dallon nga Asociacioni.