Përkrahet Strategjia dhe Plani i Veprimit Kundër Korrupsionit
Prishtinë, 24 dhjetor - Në mbledhjen e Komisionit për Legjislacion, të kryesuar nga nënkryetari i komisionit, Behar Selimi, u shqyrtua në parim Projektligji për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës.
Me këtë rast disa nga anëtarët e komisionit shprehën shqetësimet e tyre lidhur me faktin se në bazë të këtij projektligji kontroll i plotë i jepet përfaqësuesit special të BE-së.
Anëtarja e komisionit, Albulena Haxhiu, tha mes tjerash se shumica e anëtarëve të bordit, sekretarisë dhe komisioneve do të emërohen drejtpërdrejtë nga OSBE-ja, duke përmendur përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur nga ndërkombëtarët, ndërkaq kërkoi që ligji ti kthehet qeverisë.
Ndërkaq, ajo tha se Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër këtij projektligji.
Pas diskutimit të anëtarëve të komisionit të cilët po ashtu u shprehën në mënyrë kritike për këtë çështje, Projektligji për Agjencinë Kosovare për krahasim dhe verifikim të pronës, u shty për mbledhjen tjetër të radhës, duke kërkuar edhe prezencën e përfaqësuesve të Qeverisë për arsyetimin dhe qëllimin e projektligjit.
Anëtarët e komisionit drejtuan kritika të shumta edhe gjatë shqyrtimit të Strategjisë dhe planit të veprimit kundër korrupsionit, për vitin 2013-2017. Me këtë rast foli edhe përfaqësuesi i organizatës Çohu, duke shfaqur shqetësime të shumta për rishikimin e kësaj strategjie nga Agjensia Antikorrupsion.
Ai theksoi se kjo strategji është rishikuar vetëm nga një grup i brendshëm i agjensisë, ndërsa shtoi se është dashur të merren për bazë rekomandimet e seancës plenare të Kuvendit.
Ndërkaq, theksoi se ky dokument i cili përfshin periudhën 5 vjeçare nuk ka kosto buxhetore.
Disa nga anëtarët e komisionit vlerësuan se nuk ka ndonjë plan strategjik për të zvogëluar mundësitë për korrupsion, me çrast theksuan se deri më tani nuk ka pasur ndonjë lëvizje pozitive në drejtim të luftimit të korrupsionit, ndërsa kritika më të mëdha për këtë çështje i adresoheshin gjyqësorit.
U theksua po ashtu se strategjia duhet të dërgohet për shqyrtim në mbledhjen e Kuvendit, në mënyrë që gjatë diskutimit të plotësohet dhe të ndryshohet.
U tha se ky dokument është edhe parakusht për Studimin e Fizibilitetit. Strategjia dhe plani i veprimit kundër korrupsionit, për vitin 2013-2017, me shumicë votash mori mbështetjen e anëtarëve të komisionit.
Më tej anëtarët e komisionit përkrahën edhe raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-159 për zonat ekonomike, si dhe raportin me amendamente të Komisionit Funksional në Projektligjin nr. 04/L-138 për Arsimin dhe Aftësimin Profesional.
Në vijim u shqyrtua edhe kërkesa e Gjykatës Kushtetuese KO 97/12, që ka të bëjë me Ligjin për bankat, institucionet mikrofinanciare dhe institucionet financiare jobankare, me çrast anëtarët e komisionit formuan grup pune lidhur me këtë çështje.