Përfundoi takimi i forumeve rinore shqiptare
Prishtinë, 21 prill - Në organizim të Forumit të Rinisë së Lidhjes Demokratike te Kosovës, me datë 21 prill 2012 në Prishtinë, u mbajt takimi i forumeve rinore të partive politike shqiptare nga të gjitha trevat etnike shqiptare.
Në takimin e sotëm morrën pjesë 12 forume rinore, ku u biseduan dhe u listuan një numër i aktiviteteve që të rinjtë e partive poltike shqiptare do të organizojnë për të shënuar 100 - vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.
Në hapje të këtij takimi, kryetari i FR LDK-së. Mr. Xhafer Tahiri lexoi një deklaratë në emër të FR LDK -së si nikoqir i takimit, ku ndër të tjera thuhet:
Në këtë përvjetor të rëndësishëm të rinjtë shqiptar, sot, kanë nevojë të kenë universitete e arsim cilësor të nivelit evropian. Do të jemi ne të rinjtë, që do të zgjedhim se si do të jetojmë të tashmen dhe të ardhmen tonë me bindjen e thellë se drejtësia, paqja, harmonia dhe bashkëpunimi ndërmjet kombeve janë ndër vlerat më të larta të njerëzimit. Shënimi i 100- vjetorit të shtetit shqiptar është shkas i këtij takimi, i cili do të vazhdoj përtej shënimit të kësaj date."
"Duke u takuar në mënyrë të rregullt, ne të rinjtë e partive politike pa dallim, do të thellojmë integrimet tona brenda shqiptare dhe integrimet evropiane të shqiptarëve. Sot, shumica e të rinjve shqiptar janë të lirë. Liria, është e arritura më e madhe e jona në këto 100 vite."
Pavarësia e Kosovës, padyshim paraqet arritjen e një qëllimi të lartë për të cilën u sakrifikuan breza të tërë në Kosovë, që sublimohen në figurat e ndritura të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit. Sot, sfida jonë është të bashkëmoshatarët tanë në Luginë të Preshevës të vazhdojnë të qëndrojnë në tokat e tyre të lirë, dhe të ndihmojmë të rinjtë në Malin e Zi që të ruajnë dhe kultivojnë identitetin e tyre kombëtar.
Lidhja e Forumeve Rinore Mbarëshqiptare është emri dhe ombrella me të cilën do të shënohen aktivitetet e forumeve rinore shqiptare për shnimin e 100 - vjetorit të pvarësis së Shqipërisë.
Të rinjtë e partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike u pritën nga Kryetari i LDK-së, Prof. Dr. Isa Mustafa.
Poashtu të rinjtë e forumeve rinore u priten nga Ministri i Kulturës.
Gjatë drekës të rinjtë kishin një bashkëbisedim me Historianin, e Autorin e Librit Historia e Kosoves Dr. Jusuf Buxhovi.
Të rinjtë e partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike bënë vizitë dhe homazhe te varri i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova dhe u pritën nga Familja Rugova.
Takimi i të rinjve të partive politike shqiptare nga të gjitha trojet etnike përfundoi me vizitë homazhe te varrezat e dëshmorëve në Prekaz te varri Komandanti Legjendar të UÇK-së Adem Jashari.
Takimi i radhës do të mbahet në Ulqin. Mali i Zi