Përfshirja e gruas në procesin zgjedhor është simbolike
Prizren, 16 gusht Demokracia në Veprim (DnV) në kuadër të fushatës Nuk ka demokraci me një gjini mbajti një debat publik në regjionin e Prizrenit për të diskutuar përfshirjen e gruas në procesin zgjedhor në procesin e ardhshëm zgjedhor.
Pjesëmarrës në këtë debat ishin përfaqësues të Komisioneve Komunale Zgjedhore të regjionit të Prizrenit, këshilltarë të asambleve të regjionit, përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave të ndryshme ndërkombëtare.
Në këtë debat u elaborua rreth parregullsive që i kanë karakterizuar proceset e kaluara zgjedhore, për prezencën dhe mos-sanksionimin e votimit familjar, për numrin e limituar të grave komisionere, për mungesën e sigurisë në vendvotime dhe daljen e pakët të grave në votim.
Këto parregullsi që kanë tendencë ti karakterizojnë edhe zgjedhjet lokale të tre (3) nëntorit, vazhdojnë të jenë edhe më shqetësuese duke e marrë parasysh që deri më tani partitë politike për regjionin e Prizrenit nga 50 kandidatë të mundshëm për kryetar nuk kanë nominuar asnjë grua për kryetare në Kuvendet Komunale, dhe kanë bërë shumë pak për nominimin e grave komisionere dhe vëzhguese, sensibilizimin e grave dhe kanë tendencë që të kenë numër të vogël të nominuarve gra për komisionere apo dhe vëzhguese.
Shqipe Gjocaj, menaxhere e projektit Rritja e pjesëmarrjes së gruas në procesin zgjedhor në KDI, tha se regjioni i Prizrenit dominon nga përfaqësimi mashkullor në procesin zgjedhor dhe si i tillë përbën shkelje të ligjit dhe politikave për barazi gjinore.
Gjocaj theksoj që këtë e dëshmon lista finale e emërimeve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në komunën e Prizrenit, ku nga 8 anëtarët e deleguar të gjithë janë meshkuj. Përbërje e ngjashme vërehet edhe regjion të Prizrenit; në komunën e Dragashit, nga 7 anëtarët e deleguar, 6 janë meshkuj dhe vetëm një është femër. Në Rahovec, të 7 anëtarët e deleguar janë meshkuj.
Në Mamushë qëndron e njëjta, ku nga 5 anëtarët e deleguar në këto komuna, që të gjithë janë meshkuj.
Ndërkaq në Malishevë, nga 6 anëtarë, vetëm një është femër.
Fakti që përfshirja e gruas është vetëm simbolike nuk është befasuese kur po kuptohet që problematika buron nga praktikat diskriminuese Brenda subjekteve politike që nuk praktikojnë demokracinë e brendshme dhe nuk bëjnë përpjekje serioze për ta fuqizuar rolin e gruas brenda partisë, theksoj Gjocaj.
Sipas Besnik Krasniqit këshilltarë i asamblesë komunale nga PDK në KK të Prizrenit, tha se kontributi I grave në arenën politike nuk është i kënaqshëm, sepse ato nuk I përfaqësojnë interesat e tyre sa duhet.
Sa I përket numrit simbolik të grave anëtare në KKZ, ai tha se gratë nuk duan të delegohen sepse nuk duan të angazhohen dhe nga sa shohim deri tani ato rrallë herë japin kontribut.
Mybere Mustafa, këshilltare komunale nga LDK tha se problematika gjinore është çështje e kulturës politike që ndikohet kryesisht nga ana ekonomike dhe ajo sociale.
Sipas saj, programet strategjike të LDK-së promovojnë zhvillimin ekonomik, e kjo do të ndikoj në avancimin dhe fuqizimin e gruas. Vjosa Smajlaj nga AAK, tha se KQZ-ja nuk duhet të pranoj listën e komisionerëve dhe anëtarëve të KKZ-ve të emëruar nga subjektet politike, në qoftë se nuk plotësohet kuota prej 30% që përcakton ligji zgjedhor.
Nazlie Bala nga Lëvizja Vetëvendosje tha se siguria në vendvotime është më se e theksuar dhe kjo ndikon dukshëm në vullnetin dhe guximin e grave që të jenë pjesë e procesit zgjedhor, si komisionere dhe si vëzhguese.
Ajo tha se kjo problematikë është shkak i margjinalizimi të gruas që vjen nga politika e brendshme e partive politike që vazhdon ti trajtoj çështjet e grave me ekzistencën e një forumi që pritet të merret vetëm më çështje të grave.
Lulzim Kabashi, kandidat i koalicionit AAK-LDD për kryetar të Prizrenit tha se përfaqësimi i limituar i grave në procese zgjedhore është i limituar sepse natyra e brishtë e gruas dhe inferioriteti fizik i saj ia pamundësojnë aftësinë për të ruajtur votat që do të tentohet të manipulohen në vendvotim.
Përfaqësueset e organizatave jo-qeveritare reaguan ndaj argumenteve që arsyetojnë prezencën e muskujve si parandalim i manipulimeve në vendvotim.
Gjithashtu, u vlerësua që një lidership i tillë nga burrat tregon shumë për vetëdijesimin shumë të ngadalshëm të shoqërisë sonë për vlerat demokratike dhe thjeshtë për konceptin demokraci, koncept ky i cili nuk ka kuptim pa përfshirjen e plotë të grave dhe të gjitha grupeve tjera në procese të vendimmarrjes.
U rekomandua që të shfrytëzohen mekanizmat ekzistues për fuqizimin e gruas dhe të punohet shumë më shumë që të sigurohen të njëjtat mundësi për zhvillim, angazhim dhe avancim të pjesëmarrjes të gruas në të gjitha proceset zgjedhore.