16 Janar 2025

Përforcohen marrëdhëniet Kosovë - Mali i Zi

Prishtinë, 4 qershor - Sot, përfundoi punimet Forumi dyditor i Miqësisë Kosovë - Mal i Zi “Radovan Zogoviq”, organizuar nga Shoqata e Miqësisë kosovaro-malazeze, përkrahur nga Ministria e Jashtme e Republikës së Kosovës dhe Ministria e Jashtme e Malit të Zi, si dhe Ministritë e Kulturës të dy vendeve.

Forumi mblodhi me dhjetëra diplomatë, veprimtarë kulturorë, aktivistë dhe punëtorë të turizmit të të dy shteteve, përfshi përfaqësues të komunitetit shqiptar në Mal të Zi, dhe komunitetit malazez në Kosovë.

Titulli i Forumit që synon të bëhet platformë e përhershme e thellimit të marrëdhënieve midis dy shteteve fqinje ishte dedikuar poetit të njohur malazias Radovan Zogoviq, i cili dekada më parë ka shkruar për mizoritë dhe masakrat që ushtria serbe ka kryer mbi kosovarët dhe shqiptarët pas luftërave ballkanike.

Forumi ka punuar gjatë dy ditëve dhe fokusi ka qenë në fushën kulturore, shkëmbimet tregtare dhe bashkëpunimin diplomatik dhe politik midis dy shteteve që synojnë anëtarësinë në Bashkimin Evropian.

Gjatë pesë paneleve janë diskutuar edhe temat si transporti rrugor, bashkëpunimi midis bizneseve ndërsa në mbrëmje është mbajtur edhe një ekspozitë e artit modern malazez dhe një mbrëmje muzikore me muzikën etno-xhaz të Malit të Zi.
 
Në ditën e parë të Forumit, hapjen e bënë ministrat e Kulturës së dy shteteve, Memli Krasniqi dhe Branislav Miqunoviq.

Ministrat shprehën kënaqësinë për krijimin e një forumi që do të ndihmonte thellimin e marrëdhënieve dypalëshe Kosovë - Mali i Zi.

Në panelin e ditës së parë, mysafir i veçantë ishte edhe veprimtari shumëvjeçar i çështjes shqiptare dhe kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve, Adem Demaçi, i cili e vlerësoi lartë krijimin e Forumit dhe angazhimin e dy qeverive në krijim të marrëdhënieve të mira të fqinjësisë.

Demaçi tha se raportet mes dy popujve duhet të vazhdojnë të forcohen edhe më shumë në të ardhmen. “Para se gjithash, jemi njerëz, e pastaj shqiptarë apo malazezë dhe kësisoj duhet të kemi parasysh këtë raport njerëzor për një fqinjësi të mirëfilltë”, tha shkrimtari e publicisti Demaçi.

Kryetari i Shoqatës së Malazezëve të Kosovës Slobodan Vujicic tha se është shumë krenar për iniciativën e dy qeverive për krijimin e një forumi që do të përkrahte veprimtarinë dhe trashëgiminë kulturore të malazezëve të Kosovës dhe do të ndihmonte në thellimin e miqësisë midis dy shteteve.

Vujicic po ashtu falënderoi posaçërisht Ministrinë e Jashtme të Republikës së Kosovës për ndihmën e madhe dhënë për Forumin, i cili u përkrah nga Ministritë e Jashtme të dy shteteve, Fondacioni Soros dhe Këshilli Britanik.

Zëvendësministri i Jashtëm i Kosovës, z. Petrit Selimi deklaroi se Forumi i bashkë-organizuar me palën malazeze është një dëshmi që shtetet e Ballkanit janë të kthyera kah njëra-tjetra për shkak të lidhjeve tregtare, ekonomike por edhe diplomatike që duhet t’i ndërtojmë në baza të shëndosha dhe në kuadër të fqinjësisë së mirë që kërkohet nga gjithë ata që synojnë BE-në si familje të përbashkët.

Selimi pohoi se “Fakti se ministritë e Qeverisë së Kosovës dhe Malit të Zi bashkëpunojnë ngushtë në krijimin e urave të reja, dëshmon edhe një herë se Kosova nuk ka çështje të hapura me fqinjët e vet, pos me Serbinë, me të cilën po punohet në normalizim dhe se është shtet i dëshmuar i tolerancës dhe faktor i paqes dhe stabilitetit në Ballkan.”

Përndryshe gjatë Forumit, delegacioni i zgjeruar malazez, u takua edhe me kryeministrin Hashim Thaçi, kryetarin e Parlamentit, Jakup Krasniqi dhe ministrin e Jashtëm, Enver Hoxhaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)