05 Maj 2024

Përfaqësues të komunave të Kosovës u pritën nga Kryeministri Berisha

Tiranë, 11 maj - Nën organizimin e Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, udhëheqës dhe përfaqësues të lartë të gjashtë komunave të Kosovës (Artanë, Junik, Han i Elezit, Obiliq, Ranillug dhe Viti), pjesë të projektit “Akademia për Qeverisje Lokale”, qëndruan për vizitë studimore në tri shtete të rajonit – Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi.


Në Shqipëri, ky delegacion u prit nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, Dr. Sali Berisha, nga ministrja e Integrimeve, znj. Majlinda Bregu dhe ministri i Ambientit, Fatmir Mediu.


Kryeministri Berisha, duke shprehur vlerësimin për këtë projekt, theksoi rëndësinë dhe dobinë e vendosjes së një bashkëpunimi të ngushtë ndërmjet  dy vendeve në fushën e qeverisjes  vendore.  Ai shprehu bindjen se qeveritarët vendore të të dy vendeve mund të shkëmbejnë përvojat e tyre dhe t’i zbatojnë ato me sukses në komunat respektive, në interesin më të mirë të komuniteteve që ata drejtojnë. Qeveritarët vendorë, tha Kryeministri, janë ata që lidhen direkt  me njerëzit dhe me veprimtarinë e tyre kanë ndikimin direkt në jetën e tyre dhe të komuniteteve në tërësi.

 
Në bashkëbisedim me ta, Kryeministri Berisha u ndal në disa nga reformat themelore në forcimin e kapaciteteve dhe kompetencave të pushtetit lokal. Kryeministri theksoi se qeveria ka rritur 4 deri në 5 herë financimin për qeveritë vendore dhe është e gatshme të  mbështesë me financime projektet e qeverisë vendore. Kryeministri i njohu ata me investimet e bëra në ndërtimin e infrastrukturës rrugore  dhe me programin ambicioz të ndërtimit dhe rindërtimit të një rrjeti të ri rrugor. Në këtë aspekt, Kryeministri vlerësoi rëndësinë jetike që kanë pasur qeveritë vendore për realizmin e këtij projekti.

 
Duke u ndalur në disa nga reformat, të cilat kanë rezultuar të suksesshme, si  One Stop Shop për regjistrimin bizneseve, lejeve dhe licencave, për lehtësimin e burokracisë administrative dhe rritjen e transparencës, Kryeministri tha se është shumë pozitive që këto modele po ndiqen edhe nga pushteti vendor. “Pushteti vendor po përpiqet gjithashtu të krijojë sportelin unik të shërbimit të qytetareve, ku qytetari të gjeje të gjitha shërbimet që i nevojiten dhe shpresoj që gradualisht të fillojë të funksionojë në Shqipëri ky sportel fale teknologjisë dixhitale”.


Z. Besnik Tahiri, drejtor i Institutit Kosaovar për Qeverisje Lokale, në emër të këtij delegacioni falënderoi nga zemra kryeministrin shqiptar për mikëpritje vëllazërore dhe shumë domethënëse, gjatë kësaj vizitë studimore. Më tutje z. Tahiri theksoi se “një sërë reformash që Qeveria e Republikës së Shqipërisë ka ndërmarrë, janë në funksion të ngritjes së qeverisjes së mirë në nivel lokal dhe, mbi të gjitha, janë praktika të mira që do të mund të hyjnë në funksion në reformën që duhet të ndodhë në Kosovë, sidomos, në modernizimin e administratës, ngritjes së transparencës dhe, mbi të gjitha, stimulimin e zhvillimit lokal që ka ndodhur falë reformave që qeveria qendrore i ka zbatuar gjatë këtyre viteve”.


Në takim me ministren Bregu, pjesëmarrësit u njoftuan rreth procesit të integrimit evropian të Republikës së Shqipërisë dhe, mbi të gjitha, rreth rolit të rëndësishëm që komunat kanë në këtë proces të rëndësishëm për Shqipërinë dhe, po ashtu, për Kosovën. Ajo konfirmoi fuqishëm angazhimin dhe ndihmën e Qeverisë së Shqipërisë për komunat e Kosovës, në veçanti përmes programeve të bashkëpunimit ndërkufitar dhe shfrytëzimit të fondeve të Komisionit Evropian. Më tej ajo theksoi se komunat duhet të kenë një vizion të qartë dhe të punojnë me përpikëri, në mënyrë që standardet që duhet t’i përmbushin, të jenë në funksion të agjendës kombëtare për integrim.

 
Ministri i Ambientit, Fatmir Mediu, duke e falëndruar delegacionin për takimin, theksoi rëndësinë e madhe që komunat e kanë në mbrojtjen e ambientit e, në veçanti, në menaxhimin dhe kontrollin e pyjeve si dhe shfrytëzimin racional të ujit si e mirë publike. Një temë që zgjoi interesa nga delegacioni i Kosovës ishte menaxhimi dhe mbrojtja e pyjeve si dhe trajtimi i tyre, si në aspektin ekologjik, për turizëm dhe, mbi të gjitha, për stimulimin e zhvillimit ekonomik lokal nëpër komuna.



 Në Bashkinë e Fierit, të Tiranës dhe atë të Kamzës, delegacioni i gjashtë komunave u njoftua me tri çështje themelore që ndërlidhen me ngritjen e qeverisjes lokale. Në Fier,për zhvillimin ekonomik lokal, përmes partneritetit publiko-privat, ku u vizituan disa projekte konkrete të kësaj natyre, së dyti, në Tiranë, rreth reformave fiskale dhe infrastrukturës. Në Kamëz, delegacioni i Kosovës ndoqi me vëmendje dokumentarin “Kamza, qendër e zhvillimit demografik, urban, ekonomik dhe social”, ku në mënyrë vizuale pasqyrohen, si pozita gjeografike e Kamzës, krijimi i infrastrukturës, praktikat më të mira të qeverisjes lokale, marrëdhëniet me publikun dhe publikimet e bashkisë; praktikat e buxhetimit me pjesëmarrje, bashkëpunimi me qeverisjen qendrore dhe me institucionet e organizmat ndërkombëtare, binjakëzimi i Kamzës me disa bashki e komuna të vendeve të BE-së e të rajonit, pjesëmarrja e Kamzës në programet evropiane, struktura e Këshillit Bashkiak dhe e administratës së bashkisë dhe veçanërisht investimet e realizuara në harkun kohor të pesë viteve të fundit në të gjitha fushat: infrastrukturë rrugore, ujësjellës-kanalizime, shkolla, pallat kulture, stadiumin e qytetit dhe terrenet sportive.

 
 Gjatë vizitës në Tetovë, në takim me Prof. Dr. Sadi Bexheti, kryetar i Komunës, u trajtua kryesisht tema që ka të bëjë kryesisht me arsimin e lartë, si politikë dhe mundësi që kësaj komune i ka krijuar zhvillim, mirëqenie, transformim të shqoërisë dhe avancim të femrës në vendimmarrje. Po ashtu, pjesëmarrësit vizituan edhe Universitetin e Evropës Juglindore, si institucion në funksion të kësaj çështjeje.
 

 Në Ulqin, delegacioni u prit nga kryetari i Komunës, z. Nazif Cungu, i cili tregoi për angazhimet e Komunës në stimulim të turizmit dhe nevojën që në kuadër të startegjive komunale, turizmi i cilitdo lloj të futet në strategjinë e komunës. Po ashtu, delegacioni i gjashtë komunave të Kosovës vizitoi edhe ndërmarrjet publike, me qëllim të njohjes së praktikave të funksionimit të tyre.


Kjo vizitë studimore është pjesë e programit “Akademia për Qeverisje Lokale”, që është program edukativ i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, i mbështetur nga Ambasada e Norvegjisë në Kosovë, Këshilli Britanik dhe Fondacioni FES, zyra në Kosovë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)