Përfaqësimi i gruas në institucione vlerësohet pozitivisht
Prishtinë, 1 nëntor - Grupi i grave deputete të Kuvendit të Kosovës, ka pritur sot në takim një delegacion të "British Council", në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të shteteve të ndryshme evropiane.
Kryetarja e Grupit të grave deputete, Teuta Sahatqija, duke falënderuar Këshillin Britanik për mbledhjen e përfaqësuesve nga shtete të ndryshme, veçanërisht të atyre pesë shteteve të BE-së nga të cilat Kosova pret njohjen e shtetësisë së saj, dha një historik të grupit që ajo udhëheq dhe bëri një përmbledhje të aktiviteteve të tij.
Sahatqija, foli, posaçërisht, për përfaqësimin gjinor dhe të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, duke e vlerësuar kuotën për gjininë femërore si shumë të rëndësishme për avancimin e demokracisë në Kosovë.
Edhe anëtaret e tjera të grupit, Flora Brovina, Donika Kadaj-Bujupi e Alma Lama, në këtë linjë, folën për avancimin e rolit të gruas në shoqërinë dhe jetën politike në Kosovë por edhe shtruan nevojën për faktorizimin e mëtejmë të saj, në mënyrë të veçantë, brenda partive politike.
Me tone pozitive u vlerësua edhe përfaqësimi i saj në ekzekutiv, duke filluar me institucionin e Presidentit të vendit, deri te pozitat e zëvendëskryeministreve dhe në udhëheqje të dikastereve të tjera në Qeverinë e Kosovës.
Përfaqësues të Spanjës, Greqisë, Sllovakisë etj., duke shprehur vlerësimin e tyre pozitiv për përfaqësimin e gruas në institucione, u interesuan edhe për aspekte të tjera të rolit të saj dhe pjesëmarrjes në vendimmarrje, veçanërisht në sektorin privat, në biznes etj., për të cilat, sqarimet e nevojshme i dhanë deputetet pjesëmarrje në takim.