Perëndimi nuk jep azil për kosovarët
Mitrovicë, 19 korrik - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, priti në takim Freddy Roosemont, drejtor i Përgjithshëm i Zyrës së Emigracionit në Belgjikë, me të cilin bisedoi për problemin e azilkërkuesve nga Kosova.
Në takim u potencua se pas Prishtinës, qytetarët nga Mitrovica paraqesin numrin më të madh të atyre që kërkojnë azil në këtë shtet perëndimor.
Roosemont tha se Belgjika nuk jep azil për qytetarët e Kosovës, pasi që ky vend tashmë gjendet në listën e vendeve që konsiderohen të sigurta.
Kosovarët duhet të heqin dorë nga përpjekjet për azil në perëndim, meqë kjo nuk do të ndodh, tha ai.
Ndërsa kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se në Mitrovicë gjendja ekonomike pas luftës ka qenë shumë e rënduar për shkak të rrethanave specifike. Megjithatë ai theksoi se braktisja e Kosovës nuk është zgjidhje.
Kryetari Kastrati, tha se në takimet me qytetarë u ka sqaruar atyre se pasluftës gjendja ka ndryshuar dhe azili në perëndim nuk është zgjidhje.
Ne do të vazhdojmë të punojmë bashkërisht me qytetarë që të ardhmen ta ndërtojmë këtu në mënyrë që askush të mos mendoj për të ikur nga këtu.