Përcaktohet rendi i ditës për seancën e 6 tetorit
Prishtinë, 4 tetor - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për seancën e 6 tetorit të këtij viti.
Në fakt, në këtë mbledhje rendit të ditës së kësaj seance iu shtuan edhe 5 projektligje në lexim të parë dhe një në lexim të dytë.
Në mbledhjen e 6 tetorit,pas shterimit të dy pikave të rëndomta të seancave të rregullta të Kuvendit: deklarime jashtë rendit të ditës, si dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, për herë të parë do të shqyrtohen:
Projektligji për sistemin e adresave, Projektligji për dhënien e dekoratave nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Projektligji për Shërbime Këshilluese për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Projektligji për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror, Projektligji për Azilin,Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/24 për Sport dhe Projektligji për Policinë, ndërsa për herë të dytë do të shqyrtohet Projektligji për nisma legjislative.
Në vazhdim të kësaj seance do të shqyrtohen Propozim-vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës lidhur me përcaktimin e përgjegjësive dhe procedurave të zbarkimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit,Raporti i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Themelimin e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm dhe Zyrës së Auditimit të Kosovës, Projekt-plani hapësinor 2010-2020 -Zona me interes të veçantë ekonomik - Fusha e Mihjes së Re,
Propozim-Strategjia dhe Plani i Veprimit për Biodiversitetin 2011-2020, Raporti vjetor i Avokatit të Popullit, për vitin 2010,Raporti vjetor i punës së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, për vitin 2010 dhe Propozimi i Avokatit të Popullit për zgjedhjen e zëvendësve të tij.
Në rendin e ditës do të jetë edhe njoftimi i deputetëve nga radha e komuniteteve Ashkali, Egjiptian dhe Goran për ndarjen e mandateve për përfaqësimin e tyre në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve, si dhe Rekomandimi i Grupit Parlamentar 6+, për ndërrimin e kryetarit të këtij grupi parlamentar me rrotacion.