Përcaktohet rendi i ditës për seancën e 29 marsit
Prishtinë, 26 mars - Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka përcaktuar rendin e ditës për mbledhjen plenare të 29 marsit, 2012.
Seanca do të fillojë me shterimin e pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta plenare: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, kurse në vazhdim do të procedohet me projektligjet.
Deputetët do të shqyrtojnë për herë të dytë: Projektligjin nr. 04/L-46 për Transmetimin Publik në Kosovë (i bartur nga seanca e mëparshme), Projektligjin për Bibliotekat në Republikën e Kosovës, Projektligjin për regjistrimin dhe evidencën e të papunësuarve dhe punëkërkuesve, Projektligjin për lojërat e fatit, si dhe Projektligjin për fondet pensionale në Kosovë,
Në vazhdim të seancës do të merren me dy propozim-vendime të Qeverisë së Republikës së Kosovës: atë për emërimin e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të Shkencës, dhe atë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (i bartur nga seanca e mëparshme).
Kryesia, ndërkaq, ka vendosur që propozim-vendimin Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë së Pronës, tia rikthej Komisionit për Legjislacion, për rekomandime shtesë, para se çështja të shtrohet për shqyrtim në seancë.
Për seancën e 29 marsit do të radhitet edhe kërkesa e Qeverisë së Republikës së Kosovës për tërheqjen e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-168 për Turizmin dhe Shërbimet Turistike.
Në të njëjtën mbledhje plenare të Kuvendit do të shqyrtohet Plani Hapësinor i Zonës me interes të veçantë Shtabi i Përgjithshëm i UÇK- së në Kleçkë dhe Divjakë.
Duke e vlerësuar pozitivisht peformancën e sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit në drejtimin e Administratës së Kuvendit të Kosovës, Kryesia ia ka vazhduar Ismet Krasniqit edhe një mandatin trevjeçar në këtë post.