Përcaktohet rendi i ditës për dy seancat e radhës
Prishtinë, 11 shtator - Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e drejtuar nga dr.Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka plotësuar rendin e ditës për dy mbledhje të rregullta plenare, të cilat do të mbahen më 13 dhe më 17 shtator.
Në seancën e rregullt, të së enjtes, pas shterimit të pikave të përhershme të seancave të rregullta: koha për deklarime jashtë rendit të ditës dhe koha për pyetje parlamentare, deputetët do të shqyrtojnë për herë të parë: Projektligjin për procedurën përmbarimore, Projektligjin për Agjencinë për menaxhimin e komplekseve memoriale të Kosovës, si dhe Projektligjin për ujërat e Kosovës.
Për herë të dytë, ndërkaq do të shqyrtohen: Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Procedurën Kontestimore, Projektligji për bujqësinë organike dhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural.
Në seancën e së hënës, pas pikave të përhershme të rendit të ditës, deputetët do të zhvillojnë debat parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë. Debati zhvillohet sipas kërkesës së deputetit, Visar Ymeri, i mbështetur edhe nga gjashtë deputetë të tjerë.
Në të njëjten seancë do të shqyrtohen edhe tri raporte (për vitin 2011) të agjencive që i përgjigjen Kuvendit: Raporti vjetor i Avokatit të Popullit, Raporti vjetor i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, si dhe Raporti vjetor i performancës me pasqyrat e audituara financiare të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.
Anëtarët e Kryesisë janë njoftuar lidhur me ndërrimin (me rrotacion) të kryetarit të Grupit Parlamentar 6+, ku në vend të Deputetit Albert Kinolli, kryetare e këtij grupi do të jetë Myfera Shinik.
Kryesia është njoftuar edhe me përgatitjet për shënimin e Ditës së Demokracisë, më 14 shtator të këtij viti.