23 Janar 2025

Për qeverisje stabile duhet të përfshihet edhe Lëvizja Vetëvendosje

Prishtinë, 20 mars - Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ali Lajçi, e ka vlerësuar të vonuar koalicionin LDK-AAK-Nisma.

Në një intervistë për “Epokën e re”, Lajçi ka thënë se, po sikur ky koalicion të bëhej para zgjedhjeve, Kosova nuk do ta kishte një situatë të tillë politike e institucionale.

“Koalicioni LDK-AAK-Nisma është një alternativë. Mund të them se është i vonuar sepse gjithçka do të ishte e qartë dhe procesi do të ecte pa ngërçe po sikur ky koalicion të bëhej para zgjedhjeve”, ka deklaruar Lajçi.

Lajçi ka thënë se koalicioni LDK-AAK-Nisma nuk duhet të llogarisë vetëm në votat e minoriteteve.

“Assesi nuk duhet të llogarisë vetëm në votat e minoriteteve. Për të pasur një stabilitet institucional vetëm votat e minoriteteve janë pak dhe nuk japin perspektiva”, është shprehur Lajçi.

Ai ka thënë se për të pasur një qeverisje stabile katërvjeçare duhet të përfshihet edhe Lëvizja Vetëvendosje!

“Do të ishte mirë që ky koalicion të kishte një krah të fortë. Lëvizja Vetëvendosje! është e vetmja që ka pasur një koncept alternativ gjatë këtyre viteve”, ka thënë ai.

Lajçi nuk e ka përjashtuar mundësinë që Kosova të shkojë përsëri në zgjedhje parlamentare.

“Mendoj se është mirë që mos të shkohet në zgjedhje, por edhe të shkohet në zgjedhje nuk është problem, sepse kur nuk krijon institucione të qëndrueshme, të cilat rrëzohen e çohen brenda dy-tre vjetëve, të njëjtat shpenzime do t’i kemi”, ka deklaruar Lajçi.

Ndërkaq duke iu referuar lëndës së PDK-së drejtuar Gjykatës Kushtetuese, lidhur me seancën konstituive të Kuvendit, Lajçi ka deklaruar se Isa Mustafën mund ta ketë fatin e Behgjet Pacollit.

“Këtë çështje nuk mund ta interpretojmë individualisht, u takon ekspertëve të Kushtetueses ta japin vlerësimin nëse ka pasur shkelje procedurale. Është rrezik që Isa ta ketë fatin e Behgjet Pacollit”, ka thënë Lajçi. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)