18 Janar 2025

Për demarkacionin, ekspertët e pavarur kanë të drejtë

Prishtinë, 17 shtator - Analisti politik Nexhmedin Spahiu ka bërë me dije se, nëse demarkacioni me Malin e Zi dështon të ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, Qeveria duhet të bjerë dhe të shkohet në zgjedhje të reja nacionale.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se çështja ka shkuar shumë thellë dhe është tepër vështirë që njëra palë të lëshojë pe. Në këtë situatë, sipas tij, zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e reja. “Gjëja më normale që do të duhej të ndodhte në rast se dështon ratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi, është shkarkimi i Qeverisë dhe mbajtja e zgjedhjeve të reja”, ka thënë Spahiu.

Ai e ka mirëpritur iniciativën e Grupit të Ballkanit për Politika për t’i mbledhur zyrtarët e subjekteve politike me qëllim të gjetjes së një zgjidhje në këtë çështje, megjithëse ka shprehur skepticizëm në suksesin e saj. “Suksesi i kësaj iniciative është në pikëpyetje. Çështja për demarkacionin me Malin e Zi ka shkuar shumë thellë dhe është tepër vështirë që njëra palë të lëshojë pe. Kjo ndoshta çon vetëm në një rrugëdalje, në mbajtjen e zgjedhjeve të reja, pastaj në një situatë të re politike që do të përpiqet t’i qaset ndryshe këtij problemi”, është shprehur Spahiu.

Spahiu ka treguar se do të ishte mirë që Qeveria ta riprocedojë këtë çështje sërish në Kuvend dhe aty marrëveshja të rrezohet me votë të deputetëve. “Nuk e di nëse koalicioni i ka votat për këtë çështje. Duket sikur nuk i ka votat e mjaftueshme, meqenëse shumë deputetë të dy subjekteve më të mëdha kanë deklaruar se janë kundër versionit aktual të demarkacionit me Malin e Zi. Por, është e drejtë e Qeverisë ta fusë në rend të ditës dhe, po ashtu, e drejtë e deputetëve të votojnë për ose kundër. Mendoj se do të ishte mirë që kjo çështje të hyjë në rend të ditës në Kuvend, të mos votohet dhe të marrë fund ky muhabet”, është shprehur Spahiu.

Spahiu në këtë intervistë ka folur edhe për mundësinë e dërgimit të çështjes në arbitrazh ndërkombëtar. “Kjo është një alternativë e arsyeshme. Por nëse kjo çështje shkon në arbitrazh, atëherë nuk ka asnjë logjikë që atje ta mbrojnë Hashim Thaçi, Isa Mustafa apo Murat Meha. Pra, nëse demarkacioni shkon në arbitrazh, atëherë Kosovën duhet ta mbrojnë Përparim Ameti, Florim Isufi, Shpejtim Bulliqi, Ramush Haradinaj dhe këta të tjerët që kanë qenë më të spikaturit në kundërshtimin e versionit aktual të demarkacionit”, ka thënë Spahiu. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)