17 Janar 2025

Pepshi, kandidat i Vetëvendosjes! për kryetar të Junikut

Prishtinë, 19 korrik - Lëvizja Vetëvendosje! në Junik mbajti konferencë për media me ç’rast u bënë publike rezultatet e zgjedhjeve të brendshme në këtë Qendër të Lëvizjes Vetëvendosje!, si dhe u shpall kandidati i Vetëvendosje!-s për kryetar komune në Junik.

Drejtuesja e Komisionit Zgjedhor ad hoc të Qendrës së Junikut, Luljeta Jasiqi, foli për procesin e brendshëm zgjedhor dhe për mënyrën se si është zgjedhur kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje! për kryetar të Komunës së Junikut.

“Ditën e mërkurë anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje! të 8 Pikave në komunën e Junikut kanë votuar për të zgjedhur kandidatin e tyre për zgjedhjet lokale. Gjatë procesit të votimit dhe numërimit të votave nuk është vërejtur asnjë parregullsi”, u shpreh Jasiqi. Më pas, ajo bëri publik edhe emrin e fituesit të këtyre zgjedhjeve.

“Nga këto zgjedhje, kandidat i Lëvizjes VETËVENDOSJE! për kryetar të Komunës së Junikut shpallet  z.Rexhep Pepshi, i cili ka fituar 93.7 % të votave”, theksoi Luljeta Jasiqi.

Pas saj, para medieve dhe të pranishmëve në sallë foli kandidati për kryetar komune i sapo shpallur, Rexhep Pepshi, i cili tha se arsyeja kryesore për kandidimin e tij kanë qenë kërkesat e shumta të qytetarëve të pakënaqur me gjendjen në Junik dhe drejtimin që i është bërë komunës deri tash.

“Ne kemi për detyrë që t’i rikthejmë rinisë shpresën dhe ëndrrat në vendin e tyre përmes politikave konkrete të punësimit dhe zhvillimit, dhe përmes formimit të mëtejshëm edukativ. Njëkohësisht, me të njëjtin përkushtim duhet të përkujdesemi edhe për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, personave me nevoja të veçanta dhe familjeve të të pagjeturve.
 
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, tha se aktivistët e Vetëvendosje!-s përmes demokracisë së brendshme e kanë bërë zgjedhjen e duhur, me legjitimitet të plotë.

“Kryetar i Komunës së Junikut duhet të jetë Rexhep Pepshi. Ai është nga një familje e veprimtarëve, nga një familje që ka qenë e përfshirë e tëra në luftë. Familja e tij ndihmuan shumë në armatosjen e kësaj ane. Ne jemi të bindur që Rexhep Pepshi është një njeri modest, shumë punëtor, që do të qëndrojë gjithmonë pranë jush, prandaj është e domosdoshme që ju të qëndroni pranë tij deri në fitoren e tij, e edhe pas fitores së tij. Sepse, atëherë do të kemi punë edhe më shumë, në mënyrë që të bëhen ndryshimet e domosdoshme për Junikun”, theksoi Kurti.

Ai shtoi se bujqësia e blegtoria në njërën anë, si dhe fabrika e tekstilit, kanë qenë shtylla të zhvillimit ekonomik të Junikut, por ato tashmë jo që nuk përkrahen nga shteti e komuna, por përkundrazi kanë pengesa nga shteti e komuna.

Duke folur për Junikun, Kurti shtoi se \"Juniku edhe më historinë edhe me aktualitetin e vet është dëshmi që nuk i ndajnë malet shqiptarët por kufiri i padrejtë i ndanë malet. Ne angazhohemi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë si hap i parë i bashkimit kombëtar, sepse konsiderojmë se kjo është e vetmja zgjidhje e faktorizimit të shqiptarëve në Ballkan, si dhe interesin e shqiptarëve në zhvillim ekonomik dhe shtetndërtim”.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)