Pensionistët në pozitë tepër të rëndë
Prishtinë, 17 tetor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot një delegacion të përfaqësuesve të Koalicionit të pensionistëve të Kosovës, në përbërje: Fahri Buçinca, Sahit Dragaj, Hamdi Tasholli dhe Naser Avdiu, me të cilët ka biseduar për gjendjen ekonomike, sociale dhe shoqërore të pensionistëve të Kosovës.
Pensionistët kanë ngritur para kreut të Kuvendit të Kosovës shqetësimet e tyre për gjendjen tepër të rëndë të pensionistëve edhe dymbëdhjetë vjet pas çlirimit të Kosovës.
Ata e kanë vlerësuar të padinjitetshme pagesën prej 80 euro për pensionistët kontributdhënës gjatë gjithë stazhit të tyre të punës.
Ata kanë kërkuar që urgjentisht të tërhiqet teksti i hartuar i Projektligjit për pensionet, për të krijuar grupin e ekspertëve dhe rishikuar këtë projektligj, në mënyrë që ai të bëhet i përshtatshëm për pensionistët e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, është shprehur se i kupton mirë shqetësimet e pensionistëve të Kosovës, duke u premtuar atyre se çështjen do ta ngrit në instancat vendimmarrëse.
Krasniqi u ka sugjeruar pensionistëve që nëse Projektligji vjen në Kuvend, atëherë vërejtjet e tyre duhet tia adresojnë Komisionit për punë dhe mirëqenie sociale, për ti inkorporuar ato si amendamente dhe propozuar seancës për miratim bashkë me Projektligjin për pensionet.