Pëfaqësues të shteteve të BE-së, thirrje për zgjedhje demokratike
Prishtinë, 6 qershor - Në një deklaratë të përbashkët te Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Shefat e Misionit të shteteve anëtare të BE-së të pranishme në Kosovë bëjnë thirrje për zgjedhje demokratike të standardeeve evropiane.
Të dielën, më 8 qershor qytetarët e Kosovës do të votojnë për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre në Kuvend për katër vitet e ardhshme.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të përgjithshme pas përmbylljes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.
"Kur një partner i ardhshëm kontraktues i BE-së i mban zgjedhjet, ne presim që standardet evropiane për zgjedhje demokratike të respektohen plotësisht".
"Kjo është një nga arsyet kryesore pse Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të monitorojë përsëri procesin zgjedhor dhe bashkë me vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë do të vlerësojë mbarëvajtjen e procesit", thuhet në komunikaten e përbashkët të Shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Shefat e Misionit të shteteve anëtare të BE-së të pranishme në Kosovë.
Të gjeturat e tyre do të jenë udhërrëfyes jo vetëm për pikëpamjet tona për zgjedhjet, mirëpo edhe për të ardhmen evropiane të Kosovës!
Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet në tërë Kosovën të mbahen në mënyrë të drejtë dhe transparente.
"U bëjmë thirrje të gjitha palëve që të veprojnë në atë mënyrë që do t'i motivojë qytetarët të përdorin të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe për të shprehur mendimet politike individuale pa kurrfarë ndërhyrje."
"U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve nga të gjitha pjesët e Kosovës dhe të gjitha komuniteteve që të përdorin të drejtën e tyre demokratike për të votuar dhe zgjedhur liderët e tyre për katër vitet e ardhshme", thuhet në fund të komunikatës.