Peci: Kosova s`ka nevojë për zgjedhje të reja
Prishtinë, 18 qershor - Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, tashmë drejtor i KIPRED, Lulzim Peci, mendon se Kushtetuta e Kosovës nuk është e definuar mirë sa i përket se kush mund të jetë mandatari i parë dhe i dytë për formimin e Qeverinë.
Në një intervistë dhënë për Zëri, Peci ka thënë se vendimi për mandatarin e ardhshëm i takon Presidentes Atifete Jahjaga dhe se vendi rrezikon krizë politike nëse kjo gjë nuk ndodhë.
Situata aktuale politike rreth krijimit të qeverisë së re të Kosovës, është pasojë e padefinimit të mirë të Kushtetutës, e cila nuk e definon se kush do të ketë primatin për marrjen e rolit të mandatarit për herën e parë dhe për herën e dytë, duke e pasur parasysh faktin se të gjitha koalicionet që e kanë krijuar qeverinë kanë qenë pas zgjedhore.
Vendimi për mandatarin e qeverinë është në duart e presidentes Jahjaga, në bazë të kompetencave të saj kushtetuese. Ky vendim duhet të merret menjëherë pas konstituimit të legjislaturës së re.
Krizë mund të shohim, nëse partitë politike do ti kemi të papërgjegjshme, po ashtu nëse presidentja nuk merr vendimin për emërimin e mandatarit pas certifikimit të zgjedhjeve, gjegjësisht konstituimit të Kuvendit.
Peci thotë se shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme është gjëja që më së paku ka nevojë Kosova të bëjë. Ai madje e quan këtë gjë si rrezik.
Rreziku më i madh dhe më i panevojshëm që i kanoset Kosovës është shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kosova nuk ka kurrfarë arsye të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne mund ti kemi një ose dy kandidatë për mandatar të qeverisë, dhe në zgjedhje duhet shkuar vetëm atëherë pasi asnjëra palë nuk arrin të krijojë shumicën në parlament, ka thënë Peci, shkruan sot Zëri.