PE ka kërkuar nga Serbia të mos mbajë zgjedhje në Kosovë

Prishtinë, 30 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, ka pritur sot raportuesen për Kosovën në Parlamentit Evropian, Urlike Lunaçek, me të cilën bisedoi për raportin e Kosovës me PE-në, për Rezolutën e djeshme të miratuar për Kosovën, si dhe për hapat e pritshëm që duhet të bëjë vendi për më shumë njohje dhe afirmim ndërkombëtar.
Znj. Lunaçek ka shprehur kënaqësinë e saj për miratimin e Rezolutës për Kosovën nga deputetët  e Parlamentit Evropian dhe për faktin që, krahasuar me dy vitet e mëparshme, numri i deputetëve në përkrahje të Kosovës është duke u rritur, gjë që e bën  të ndjehet mirë. 
Ky është njëkohësisht progres për raportet e vendit me  PE-në edhe nxitje pozitive për vendet të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën që ta bëjnë atë. Ajo ka pohuar faktin se propozimi për përdorimin e fusnotës në dokumentet e Parlamentit Evropian, ku përmendet Kosova, nuk ka kaluar. 
Lunaçek shprehet pozitivisht për arritjen e marrëveshjeve me Serbinë, duke i bërë thirrje asaj që të tregohet e përgjegjshme në zbatimin e tyre. 
Parlamenti Evropian, ka thënë ajo,  ka kërkuar nga Serbia që të mos mbajë  zgjedhje lokale në Kosovë, ngase ky veprim i saj është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por edhe me Rezolutën 1244 të KS.
Kryeparlamentari Krasniqi  e ka falënderuar znj. Lunaçek për angazhimet e saja në hartimin dhe miratimin e Rezolutës për Kosovën në PE dhe e njoftoi atë për angazhimet e Kuvendit në përmbushjen e obligimeve sa i përket agjendës evropiane. 
Ai i ka kundërshtuar veprimet destruktive të Sërbisë për tentimin e organizimit të zgjedhjeve në Kosovë. Krasniqi  ka kërkuar që  edhe institucionet tjera të Bashkimit Evropian,  të cilat i kanë dhënë Serbisë statusin e vendit kandidat, të bëjnë presion mbi Beogradin që të mos provojë veprime të tilla në Kosovë, që nuk i shërbejnë paqes dhe stabilitetit të rajoni. 
Në takim është biseduar edhe për reformat kushtetuese dhe zgjedhore të cilat po i bënë Kosova dhe për nevojën e ngritjes së efikasitetit të punës së institucioneve të Kosovës, të cilat, janë pajtuar bashkëbiseduesit,  ngrenë  e imazhin pozitiv të saj në arenën ndërkombëtare.
 















