PDK shprehë keqardhje për mos konstituimin e Kuvendit
Prishtinë, 18 shtator - Partia Demokratike e Kosovës shprehë keqardhje që në Seancën e sotme nuk u mundësua konstituimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si një obligim i dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike të 8 Qershorit.
Njëkohësisht, Partia Demokratike e Kosovës shprehet kundër vazhdimit të qasjes bllokuese të procesit të themelimit të institucioneve shtetërore nga ana e Bllokut opozitar.
Partia Demokratike e Kosovës, rikujton se duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 119/14, si dhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit, e drejta për të nominuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit paraqet një të drejtë të patjetërsueshme dhe të patransferueshme të Grupit Parlamentar të PDK-së, si grupi më i madh parlamentar në Kuvend.
Partia Demokratike e Kosovës shprehë besimin se vazhdimi i seancës konstituive do të ndodh shpejt dhe se deputetët do të reflektojnë drejtë për përgjegjësinë që kanë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumentet tjera relevante, të cilat i garantojnë ekskluzivisht Grupit Parlamentar të PDK-së, nominimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit.
Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe në vend dhe me besimin më të madh qytetar, do të vazhdojë të luaj rol konstruktiv dhe proaktiv në procesin e themelimit të institucioneve shtetërore dhe fton edhe partitë tjera parlamentare që të heqin dorë nga bllokada institucionale dhe ti hapin rrugë bashkëpunimit për daljen nga ngërçi politik.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se konstituimi sa më i shpejt i Kuvendit, si institucioni më i lartë shtetëror, është në interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe është hap i domosdoshëm për të mundësuar krijimin e Qeverisë së ardhshme, në pajtim me vullnetin e qytetarëve tanë.