PDK shpreh keqardhje për thirrjet që debatet nga Parlamenti të barten në sheshe
Prishtinë, 26 janar - Partia Demokratike e Kosovës respekton të drejtën ligjore, kushtetuese dhe demokratike të qytetarëve për të protestuar, por, për PDK-në, janë të papranueshme thirrjet kërcënuese dhe ultimative ndaj institucioneve legjitime.
Partia Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për thirrjet që debatet nga Parlamenti të barten në sheshe, ngase paraqesin rrezik për funksionimin e demokracisë.
Aktet e dhunës ndaj institucioneve, policisë së Kosovës, pronës private, si dhe sulmet fizike ndaj qytetarëve që nuk i janë bashkuar protestës, janë krejtësisht të papranueshme. Njëherësh, PDK dënon ashpër sulmet edhe ndaj gazetarëve.
PDK, po ashtu, konsideron se deklaratat e papërgjegjshme të çdo ministri që nxisin tensione ndëretnike, janë të papranueshme për realitetin e ri politik.
Partia Demokratike e Kosovës dënon sulmet ndaj përfaqësive diplomatike, e që po këto përfaqësi janë prej shteteve të para që kanë njohur Pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Partia Demokratike e Kosovës fton qytetarët e Republikës së Kosovës që të kenë besim në institucionet kushtetuese, ku është vendi të shtrohen dhe zgjidhen të gjitha pakënaqësitë e qytetarëve.
PDK kërkon nga partitë politike parlamentare që të reflektojnë përgjegjësi publike ndaj qytetarëve dhe institucioneve, dhe të shmangen nga keqpërdorimi i pakënaqësive reale të qytetarëve me qëllim të përfitimeve politike.