PDK: Shpërthejnë skandalet e Agim Bahtirit
Mitrovicë, 4 shkurt - Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë, reagon me shqetësim për skandalet e njëpasnjëshme të kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili pa fije ngurrimi sipas PDK-së po e shkel ligjin për përfitime familjare dhe klanore.
Avni Kastrati kryetar i degës së PDK-së në Mitrovicë ka thënë së është vetëm një vit prej se ka marrë mandatin, por janë me dhjetëra vendime kundërligjore dhe në dëm të qytetarëve mitrovicas.
Kastrati thekson se vetëm brenda pesë ditëve të fundit, kanë dalur në shesh dy super-skandale të njeriut që erdhi në pushtet me premtimin për ti punësuar 15 mijë veta, por që në fakt po ua shkatërron jetën e tyre.
"Këto skandale kanë zënë vend në ballinat e mediave kosovare, duke ia hequr përfundimisht vellon e mashtrimit, kryetarit legjendar, siç i pëlqen ta quaj veten, Agim Bahtiri".
Agim Bahtiri nënshkruan mbi 760 mijë euro kontratë pa tender, është titulli i një skandali të dokumentuar me kontratë të skanuar që është botuar në media. Është fjala për një kontratë që ka nënshkruar ai me firmën Hesalight A/S, që është themeluar para një muaji për ripërtëritjen e ndriçimit publik dhe që është bërë pa procedura e me rritje të çmimit për mbi 100 mijë euro në dëm të buxhetit të shtetit", thekson ai.
Ndërsa skandali tjetër sipas tij është përfshirja e djalit të tij, Valon Bahtirit, në përfitimin e paligjshëm të një prone komunale në Gjakovë, në vlerë prej 2 milionë eurosh.
Këto janë dy nga skandalet më të mëdha që janë raportuar në media, por janë dhjetëra sosh për të cilat nuk janë raportuar, por që janë faktike. Në këtë rast do ti numërojmë vetëm disa prej tyre:
1. Z. Agim Bahtiri vetëm pak ditë pasi ka marrë pushtetin ka vendosur në korridoret e komunës aparate për pije, që janë në pronësi të një firme me të cilën komuna nuk ka kryer kurrfarë procedure ligjore.
2. Z. Agim Bahtiri, ka muaj që nuk e zbaton një vendim të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe Gjykatës Themelore në Mitrovicë për ta kthyer në vendin e saj të punës, ish-drejtoreshën e shkollës së mesme të ulët Çajupi, zonjushën, Melihate Meha.
3. Z. Agim Bahtiri, pa kurrfarë procedure ka lidhur kontratë me TV-Mitrovicën për ti bërë reklamë atij, për çka komuna paguan 1500 euro në muaj.
4. Z. Agim Bahtiri, ia ka dhënë tenderin për bartjen e nxënësve në ekskursione kompanisë Ariani, e cila është në pronësi të drejtorit të Prokurimit.
5. Z. Agim Bahtiri, ka lejuar që ish-zyrtarja e protokollit të tij, të merr pagë nga kabineti i kryetarit edhe disa muaj pasi e ka lënë punën.
6. Z. Agim Bahtiri, ka shpenzuar pa planifikim rreth 10 mijë euro për rregullimin e zyres së tij, e cila sapo ishte rregulluar.
Duke u bazuar në këto dhe shkelje të tjera të dokumentuara, Partia Demokratike e Kosovës në Mitrovicë kërkon nga hetuesia dhe prokuroria e shtetit që të veproj shpejt dhe të merr masa ligjore ndaj këtij kryetari që po shkel ligjet dhe po dëmton qytetarin e varfër të Mitrovicës.