PDK-LDK afër zyrtarizimit të Mustafës kryeministër
Prishtinë, 1 dhjetor - Grupet punuese të LDK-së dhe PDK-së me gjithë dallimet e mëdha kanë arritur në fazën finale të ndarjes së dikastereve dhe hartimit të programit qeverisës.
Edhe pse shumë gjëra janë definuar, zyrtarisht heshtet për emrat e ministrave, por edhe të vetë kryeministrit.
Megjithatë, posti i kreut të Qeverisë tanimë është punë e kryer dhe ai i takon Isa Mustafës.
Burime të ndryshme nga të dyja partitë kanë thënë se të hënën apo të martën pritet të nënshkruhet marrëveshja e plotë për qeverisje.
Kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, por as zyrtarë të partisë së tij deri më tani nuk e kanë zënë ngoje fare çështjen e kryeministrit, për të cilin post Thaçi kishte thënë më herët se nuk heq dorë.
Një burim i afërt me PDK-në ka thënë se çështja e mospërmendjes së Mustafës si kryeministër nga ana e Thaçit ka të bëjë më së shumti me përpjekjen që të parandalohet reagimi negativ brenda partisë për arsyen që lëshohet posti i shefit të Ekzekutivit.
/Koha Ditore/