PDK-ja përgatit elektoratin para ndërrimit të liderit
Prishtinë, 15 janar - Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka vazhduar edhe të enjten mbajtjen e takimeve të mbyllura, ku është diskutuar për krizën aktuale, si dhe përgatitjet para votimit për president të kreut të kësaj partie, Hashim Thaçi.
PDK-ja ka zhvilluar takime të tilla që nga e marta e kësaj jave, shkruan sot Koha Ditore.
Kreu i PDK-së, njëkohësisht zëvendëskryeministër, ka mohuar të jetë diskutuar për kandidaturën e tij, si dhe mundësinë e kandidimit të Kadri Veselit si kryetar të kësaj partie, pasi ai vetë të japë dorëheqje.
Por burime të gazetës brenda këtyre takimeve i kanë thënë gazetës se takimi po mbahet me qëllim që të sigurohen se nuk do të dështojë votimi i Hashim Thaçit në Kuvend.
Diskutime ka pasur edhe për krizën aktuale dhe hapat që do ti ndërmarrë partia, pasi Thaçi të largohet pas 16 vjetësh nga posti i të parit të partisë. Edhe pse Kadri Veseli shihet si pasardhësi i vetëm i Thaçit në krye të PDK-së, vetë kreu i saj ka mohuar të jetë diskutuar për këtë çështje.
Koha Ditore