PDK-ja nis rrëshqitjen e pandalshme
Prishtinë, 6 dhjetor - Rezultati i disfavorshëm, që doli nga raundi i parë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Komunës së Drenasit, në të cilën komunë për herë të parë kandidati i PDK-së nuk e fiton shumicën e nevojshme, por aplikohet raundi i ri i balotazhit, sipas analistëve politikë edhe rivalë, po interpretohet si dëshmi e fuqishme se zgjedhjet në Drenas do të jenë fillimi i rënies së PDK-së.
Pas rënies së votave në Drenas, kjo parti pritet të ketë vetëm rënie, e aspak ngritje, sidomos nga Gjykata Speciale.
Nga ana tjetër, rezultati i dobët në këto zgjedhje po shihet si sinjal negativ edhe për kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli.
Zgjedhjet për kryetar komune të Drenasit shihen edhe si një test serioz që paralajmëron fillimin e shthurjes së bastioneve, ndryshimit të madh që mund të sjellin zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ndëshkimin e atyre që mashtruan për gjithë këto vite të pasluftës qytetarin e varfër.
\"Zgjedhjet në Drenas po shënojnë fillimin e fundit të pashmangshëm të PDK-së, kësaj partie, e cila ka mashtruar e manipuluar gjithë Kosovën, por në mënyrë të veçantë Drenasin dhe Drenicën, duke proklamuar vlera të mëdha patriotike e shtetformuese, e duke ofruar vetëm krim, korrupsion dhe tradhti të pafund ndaj shtetit dhe popullit tonë\", tha deputeti Adem Salihaj, shkruan gazeta Kosova Sot.
Dëmi i pariparueshëm
Sipas Salihajt, vetëdijesimi ka filluar edhe në vetë bastionin e PDK-së, ku njerëzit më së shumti kanë besuar në këto vlera dhe, njëkohësisht, aty ku njerëzit janë mashtruar më së shumti.
\"Tashmë ka një diferencim të brendshëm brenda vetë kësaj partie, vetëdijesimi ka lindur brenda saj, ky është një proces, ne duhet të presim me durim dhe do ta shohim jo larg epilogun e tij\", tha Adem Salihaj nga LDK-ja.
Sipas tij, askush nuk ka mundur ta helmojë popullin shqiptar të Kosovës me veprime të këqija, si hajnia,plaçkitja,krimet monstruoze, amoraliteti dhe tradhtia e interesave kombëtare, siç ka bërë PDK-ja në periudhën e pasluftës.
\"Populli i Kosovës ende nuk është i vetëdijshëm se çfarë dëmi i pariparueshëm i është shkaktuar Kosovës nga PDK-ja dhe strukturat e saj. Tani ne duhet të shpresojmë se një vetëdijesim tashmë veç sa ka filluar\", tha deputeti Adem Salihaj. Opinion të ngjashëm ndan edhe Zafir Berisha nga Nisma për Kosovën.
\"Kjo që ndodhi në Drenas është fillimi i fundit të klanit që e ka gjunjëzuar për shumë vjet edhe politikisht, por edhe ekonomikisht këtë komunë dhe tërë Kosovën. Jam shumë optimist se tani ky trend duhet të vazhdojë edhe më tutje. Edhe në zgjedhjet e ardhshme lokale e nacionale, që vendi të dalë nga kjo katrahurë ku e ka futur klani i deritanishëm i qeverisjes së shtetit të kapur\", tha Berisha për \"Kosova Sot\".
Se rënia e madhe e PDK-së do të fillojë nga komuna e Drenasit, për shkak të abuzimit dhe qeverisjes së keqe edhe tutje në nivel vendi, është edhe vlerësim i analisti Hidajet Ahmeti.
\"Drenasi e dëshmoi se është për ndryshim rrjedhimisht për ndëshkim të keqqeverisjes, edhe pse gjithë arsenali politik i PDK-së zbarkoi në këtë komunë. Përkundër shantazhit, presionit, qytetarët e dëshmuan se nuk u nënshtrohen shantazhit e presionit, kur vjen në pyetje interesi i përgjithshëm qytetar. Shkuarja në balotazh për PDK-në, përkundër mekanizmave që përdori, ka simbolikën e shumëfishtë.\"
\"Në njërën anë dëshmoi se mund të thyhen bastionet e partive politike, kurse në tjetrën anë qytetarëve nuk iu intereson partia politike, por duan mirëqenie e ndryshime pozitive. Shumë njerëz nuk e kanë besuar se do të ndodhë një gjë e tillë, pasi klientela e PDK-së në këtë komunë është trashur aq shumë, saqë nga këta njerëz ishte krijuar bindja se komuna e Drenasit është pronë e tyre. Shkuarja në balotazh ngjall shpresat te qytetarët se ndryshimi mundë të vijë atëherë kur qytetarët e duan atë dhe nuk u nënshtrohen shantazhit e presionit në asnjë mënyrë\", ka potencuar Hidajet Ahmeti.
Ai thotë se pa dashur të fyejë askënd, përkundrazi i çmon vlerat e Lladrovcit për luftën çlirimtare dhe sakrificën me familjen e tij, por ambiciet e tij të sëmura për të qenë kryetar komune janë një kapërcim i diçkaje që nuk ishte dashur të ndodhë, ngase figura dhe intelekti i tij të japin një pasqyrë tjetër.
\"Nuk duhet të fyhen institucionet publike me njerëz të tillë, të cilët, përveç vlerave të luftës, nuk gëzojnë përgatitje intelektuale. Për mendimin tim, çdokush duhet të ketë vendin e vet, çlirimtarët duhet të gëzojnë benefite dhe respekt nga institucionet publike, por jo t\'i futin hundët në atë që nuk duhet. Shkuarja në balotazh është një lajm i jashtëzakonshëm jo vetëm për Drenasin, por për gjithë Kosovën.\"
\"Rënies së PDK-së i gëzohen shumë qytetarë të Kosovës, mbasi drita në fund të tunelit po e merr një reflektim më të theksuar. Ky transformim i qytetarëve të Drenasit tregon se në Kosovë po vjen era ndryshim, dhe po vërehet se kemi një lodhje qytetare në gjithë Kosovën nga klasa udhëheqëse e pasluftës. Kosovës i duhet një ndryshim substancial, njerëzit e krimit duhet të largohen përmes votës qytetare dhe ngadalë Kosova ta marrë pamjen e një shteti normal e evropian\", tha Ahmeti për \"Kosova Sot\".
Po ashtu, ai thotë se Drenasi është një matës i mirë në veçanti për ish-kreun e ShIK-ut, Kadri Veselin. \"Kish qenë e rrugës që qytetarët e Drenasit t\'ia japin një goditje të fuqishme, duke treguar se Drenasi e do ndryshimin dhe e ndëshkon keqqeverisjen\", tha ai.
/Kosova Sot/