PDK-ja e LDK-ja mund të bashkëqeverisin
Prishtinë, 28 mars - Eqrem Kryeziu është i mendimit se LDK-ja dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK) mund të bashkëqeverisin. Unë kam thënë kështu dhe absolutisht nuk i bie pishman. E çka thonë zyrtarë të tjerë të LDK-së, duhet ti pyesni ata. Unë nuk e kam ndërmend ta ndërroj qëndrimin tim të cilin jam duke e thënë tash e sa vite, ka deklaruar Kryeziu.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Kryeziu ka thënë se për një bashkëpunim të tillë duhet të arrihet një marrëveshje patriotike.
Ndoshta kemi koncepte të ndryshme për koalicione, por nëse dikush mendon se koalicion është koncepti: O burra hajdeni të bëhemi bashkë dhe ti grabisim disa ministri dhe do tenderë, e ka gabim. Mua ky koncept nuk më intereson hiç. Mua më intereson koncepti i një marrëveshje patriotike për bashkëqeverisje. Koncepti im është ky: O burra, a bashkohemi bre ta qesim Kosovën në dritë?!, është theksuar Kryeziu.
Ndërkaq duke folur për idenë e Lëvizjes Vetëvendosje!, për krijimin e një blloku opozitar me qëllim të rrëzimit të qeverisë aktuale, Kryeziu është shprehur skeptik se mund të arrihet një gjë të tillë.
Për sa i përket rrëzimit të Qeverisë së Kosovës, mendoj se është synimi më legjitim i një partie opozitare. Edhe qëllimi im është rrëzimi i Qeverisë, por a mundemi apo jo, kjo është një çështje krejt tjetër. Me rrëzu Qeverinë kërkush nuk thotë kuku çka më bone, madje as PDK-ja nuk kukat. E rrëzon, e çka ke me i ba tash?!, është shprehur Kryeziu, i cili edhe një herë ka deklaruar se Kosovës i duhet Isa Mustafa kryeministër.
Kam thënë edhe herëve të tjera, se Kosovës i duhet zhvillimi ekonomik. Dhe aspektin ekonomik më mirë se z. Mustafa nuk mund ta njohë askush, as Thaçi as Haradinaj, askush tjetër. Këta të tjerët janë politikanë sikurse jam edhe unë, por nuk i kuptojmë proceset ekonomike. Nuk dua ta nënçmoj asnjërin prej liderëve të partive politike, larg asaj. Isa i kupton proceset ekonomike, ka thënë Kryeziu.