PDK-ja e hapur për bashkëpunim
Prishtinë, 19 shtator - Nënkryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kërkuar nga koalicioni LDK-AAK-Nisma-VV të heqin dorë nga qasja bllokuese dhe ti hapin rrugë formimit të institucioneve.
Ai ka thënë se qasja e tyre është në dëm të interesave të qytetarëve të Kosovës.
PDK-ja ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për të biseduar me të gjithë, në mënyrë që sa më shpejt të formohen institucionet e reja, pra fillimisht të konstituohet Kuvendi e pastaj qeveria. Blloku opozitar duhet të ketë qasje racionale dhe jo bllokuese siç u pa në seancën e djeshme, ka deklaruar Krasniqi, në një konferencë për medie, e cila është mbajtur pas takimit të grupit parlamentar të PDK-së dhe takimit me kryetarët e degëve.
Ai ka thënë se PDK-ja nuk do të bëjë kompromis as për postin e kryeministrit e as për atë të kryeparlementarit.
PDK-ja e ka kandidatin për kryeministër, i cili e ka marrë besimin e qytetarëve për ta impelmentuar Misionin e Ri. Po ashtu, PDK-ja e ka edhe kandidatin për kryeparlamentar z. Arsim Bajrami, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se PDK-ja nuk bënë kompromis me vullnetin e qytetarëve dhe me Kushtetutën.
Nënkryetari i PDK-së, ka thënë se subjekti i tyre nuk është i interesuar që ta çojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, por, sipas tij, edhe zgjedhjet janë opsion, mirëpo jo i pari.
Gjithashtu Krasniqi e ka vlerësuar lartë iniciativën e presidentes Atifete Jahjaga, e cila pas seancës së djeshme i ka ftuar në takim liderët e partive politike.