PDK-ja e gatshme për koalicion me Shpend Ahmetin
Prishtinë, 22 korrik - Pas bllokadës, në të cilën është futur Asambleja e Komunës së Prishtinës, partia e Hashim Thaçit (PDK) është treguar e gatshme që të bëhet pjesë e pushtetit në nivelin lokal me Lëvizjen Vetëvendosje.
Zyrtarë të PDK-së thonë se edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka shfaqur vullnetin e tij për të bashkëqeverisur me partinë e tyre, porse pengesë për këtë partneritet është Kryesia e partisë së drejtuar nga Visar Ymeri.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Asamblenë e Prishtinës, Lirak Çelaj, ka deklaruar për Zërin se kryetari, Shpend Ahmeti, e ka shkelur ligjin kur i ka tërhequr aksionarët e propozuar nga ai në ndërmarrjet publike.
Çelaj ka thënë se ka pasur ofertë disa herë nga LVV-ja e Prishtinës për të bashkëqeveriusr me ndërmarrjet komunale, por thotë ta ketë refuzuar një ofertë të tillë me arsyetimin se në bashkëqeverisje mund të hyjë vetëm në ekzekutiv.
Shpendi deri para dy jave na është ofruar që të bashkëqeverisim me ndërmarrjet komunale, pra ta ndajmë pushtetin mbi to. Ne u kemi treguar se kemi vullnet të bashkëqeverisim me Vetëvendosjen, por ata nuk po duan. Ata po duan që të bëjnë marrëveshje vetëm për ndërmarrjet e ne u kemi thënë se nëse bashkëqeverisim duhet të fillojmë nga ekzekutivi, ku do të diskutohej prej pozitës së nënkryetarit, pozitave të drejtorëve e më poshtë, ka thënë Çelaj, duke shtuar se Shpendi ka thënë se në parim është pro këtij propozimi, porse niveli qendror i partisë së tij janë kundër.
Në anën tjetër, zyrtarë e Komunës së Prishtinës nuk kanë dashur të flasin për mundësinë e koalicionit në nivel lokal me partinë e zëvendëskryeministrit Thaçi.
/Zëri/