PDK-ja e Ferizajt kritikon Gecajn

Ferizaj, 11 nëntor - Dega e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Ferizaj ka vlerësuar se zëvendësministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Bajram Gecaj, me qëllim është duke e vonuar përgjigjen ndaj kërkesës së kësaj partie për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqës.
Nënkryetari i kësaj dege, Lulëzim Aliu, në një konferencë për medie ka thënë se kjo vonesë është duke u bërë për të përfituar kohë, me qëllim të deformimit të fakteve apo falsifikimit të tyre.
Publikisht i themi zëvendësministrit dhe këshilltarit të kryeministrit të Kosovës, zotit Gecaj, që të mos përpiqet kot sepse gjurmët e shkeljeve që ka bërë kryetari Svarqa janë të thella, të shumta, sa nuk mund ti fshehin dot. Unë po jua sjell këtu si dëshmi dy deklarimet e tij për këtë çështje, njëra para Kuvendit të komunës, tjetra në një debat televiziv. Mirëpo edhe po ta pranonim si të vërtetë falsifikimin e dorëzimit të buxhetit, të bërë nga kryetari, prapëseprapë vetë buxheti si dokument ka qenë i paligjshëm, ka qenë dokument fals, pasi baza e projektimit të tij ka qenë joligjore, ka thënë Aliu.