PDK-ja dhe LDK-ja nënshkruan marrëveshjen për bashkëqeverisje
Kaçanik, 19 dhjetor - Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës-Dega në Kaçanik Besim Ilazi dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës-Dega në Kaçanik Selim Reka, nënshkruan marrëveshjen e bashkëqeverisjes për mandatin 2013 2017, në Komunën e Kaçanikut.
Sipas marrëveshjes, PDK-ja do të udhëheq me pozitat e nënkryetarit të Komunës dhe kryesuesit të Kuvendit të Komunës dhe me: Drejtorinë e Arsimit dhe Kulturës, Drejtorinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Pylltarisë, Drejtorinë e Ekonomisë, Financave dhe Zhvillimit dhe Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme. Kurse, LDK-ja do të udhëheq me: Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe Emergjencave, Drejtorinë e Urbanizmit, Kadastrit dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Sipas kryetarit Ilazi, kryesia e PDK-së në Kaçanik unanimisht ka vendosur pro këtij koalicioni, duke vlerësuar si një ofertë serioze, që do të jetë e realizueshme për katër vitet e ardhshme në të mirë të qytetarit. Ndërkaq, Reka, tha se ka qenë edhe disponimi i kryesisë së LDK-së në Kaçanik ndërsa oferta është vlerësuar të jetë serioze dhe është pranuar me shumë sinqeritet.
Sipas marrëveshjes, PDK-ja dhe LDK-ja kanë arritur pajtueshmëri për projektimin e një vizioni zhvillimor të përbashkët me interes për qytetarët e Komunës së Kaçanikut.
Në Kuvendin e Komunës PDK-ja përfaqësohet me gjithsej 11 anëtarë të Kuvendit, ndërsa me 4 LDK-ja.