PDK: Informatat në media për ministra janë spekulime
Prishtinë, 7 shkurt - Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka paralajmëruar se menjëherë pas certifikimit të zgjedheve do të fillojë t`ia dërgoj ftesat subjekteve politike për formimin e koalicionit qeverisës.
Deri më tani, Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se nuk i ka bërë ofertë zyrtare asnjë partie parlamentare dhe nuk ka zhvilluar asnjë takim formal me cilëndo prej tyre për të diskutuar krijimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës.
"Të gjitha informatat e plasuara në opinion për përbërjen e Qeverisë së ardhshme, e aq më shumë për ndarjen e resorëve qeveritar apo të pozicioneve të tjera institucionale, duke përfshirë edhe përfoljen e zyrtarëve të caktuar, qoftë nga Partia Demokratike e Kosovës apo nga parti të tjera, janë të paqëndrueshme dhe në nivel të spekulimeve", thuhet në njoftimin e PDK-së.
Rreth këtyre çështjeve sipas PDK-së ende nuk është diskutuar as në organet drejtuese të partisë.