PDK e mban të politizuar administratën shtetërore
PDK-ja e kryeministrit Thaçi vazhdon të ketë hisenë më të madhe në këtë kontekst.
Mimoza Kusari-Lila, që është edhe ministre e Tregtisë dhe Industrisë, pati treguar se në dikasterin që drejton ajo ka identifikuar pesë nëpunës, të cilët janë edhe këshilltarë në kuvendet komunale, që njihen si asamblistë, pozita këto politike. Nuk kishte përmendur emra.
Gazeta ka mësuar se ata janë dy drejtorë departamentesh dhe tre zyrtarë të tjerë. Bëhet fjalë për Sherif Sherifin, Avdullah Kryeziun, Besim Jasharin, Xhemajl Pllanën dhe Kreshnik Rugovën, shkruan Koha Ditore.
Sipas Kusari-Lila, diçka e ngjashme ndodh edhe në ministri dhe institucione të tjera shtetërore. Kjo, pavarësisht se Ligji për Shërbyesit Civilë sanksionon që nëpunësit civilë nuk mund të mbajnë pozita drejtuese në parti politike dhe të jenë aktivë politikisht.
Kusari-Lila ka thënë se ligji është detyrues për të gjithë dhe se ai duhet të zbatohet nga Kuvendi dhe Qeveria. Por, ka ndodhur e kundërta në muajt e fundit.
PDK-ja, si subjekt më i madh në pushtet, ka politizuar edhe më administratën publike, nëpërmjet zgjedhjeve të saj të brendshme. Në struktura partiake ka futur nga drejtorë departamentesh deri në drejtorë shkollash.