PDK e LDK i mbajnë sekretë kandidatët për kryetarë
Prishtinë, 2 shtator - Partia e kryeministrit Hashim Thaçi (PDK) dhe ajo e liderit të opozitës Isa Mustafa (LDK), të cilat janë partitë më të mëdha në vend, ende nuk i kanë caktuar kandidatët për kryetarë të komunave kryesore për zgjedhjet e 3 nëntorit të këtij viti.
Analistët kosovarë thonë se këto parti nuk kanë unitet sa i përket përcaktimit të kandidatëve në qendrat kryesore të vendit.
Partia Demokratike e Kosovës ende nuk i ka nominuar kandidatët e saj për Prishtinën, Prizrenin dhe Gjilanin, ndërsa LDK-ja i ka nominuar kandidatët e saj në të gjitha komunat, duke e përjashtuar Prishtinën, ku me gjasë do të garojë sërish kryetari aktual i LDK-së dhe Prishtinës, Isa Mustafa.
Numri dy i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh zëvendëskryeministër i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë për Zërin se janë në fazë të konsultimeve me degë dhe qytetarë që të nominojnë kandidatët më të pranueshëm për komunat respektive dhe degët e partisë.
Çdo gjë do të jetë brenda afateve ligjore, kritereve demokratike dhe pritjeve të qytetarëve, është shprehur Kuçi, duke mos dhënë detaje të tjera.
/Zëri/