19 Maj 2024

PDK e AKR “rifreskojnë” koalicionin

Prishtinë, 4 mars - Hashim Thaçi e Behgjet Pacolli përgatiten të “ristartojnë” koalicionin e tyre qeverisës, jo vetëm duke emëruar disa ministra të rinj, por me nënshkrimin e një marrëveshjeje të re për qeverisje, shkruan sot “Koha Ditore”.

Kështu ka thënë një burim nga PDK-ja, duke sqaruar se për çka është duke u biseduar këto ditë mes liderëve të dy partive në koalicionin qeverisës, Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Kosovën e Re.

Sipas burimit, në takimin e fundit që është mbajtur mes Thaçit e Pacollit, nuk është diskutuar fare për emrat e ministrave të rinj, apo atyre që duhen zëvendësuar.

“AKR-ja ka dashur që menjëherë, atë natë, ta kryejë punën, por ekipi i PDK-së ka thënë se nuk do të flasë për emra para se të arrihet një marrëveshje për parimet e reja të qeverisjes”, ka thënë burimi, duke saktësuar se në takimin që është mbajtur të enjten e kaluar në shtëpinë e Pacollit, në Hajvali, përveç dy liderëve partiakë, kanë marrë pjesë edhe Kadri Veseli, Hajredin Kuçi dhe Vlora Çitaku nga PDK-ja, dhe Mimoza Kusari - Lila nga AKR-ja.

Mediat kanë raportuar se AKR-ja ka kushtëzuar mbetjen në koalicion me marrjen e Ministrisë për Zhvillim Ekonomik, në krye të së cilës, sipas raporteve të ditëve të fundit, është përgatitur ta vendosë Fadil Ismajlin, drejtorin ekzekutiv të Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), por burimi nga PDK-ja ka thënë se në takim Pacolli dhe partia tij nuk kanë vënë kushte të tilla, dhe se janë dakorduar me idenë e PDK-së që në vend të një riformatimi të rëndomtë Qeveria duhet të rishikohet në kuptim më të gjerë.

“PDK-ja kërkon që të shkohet në një marrëveshje të re të koalicionit, ku do të saktësohen edhe reformat e nevojshme qeverisëse, të përcaktohen pikat e nevojshme ekonomike e fiskale që do të ndihmojnë ambientin e biznesit, ndërsa duhet të ndërmerren hapa më konkretë kundër korrupsionit dhe drejt uljes së shpenzimeve qeverisëse”, ka thënë burimi nga PDK-ja.

Sipas burimit, madje, brenda partisë më të madhe ka mendime se “duhet përgjysmuar numrin e zëvendësministrave”, si një masë për uljen e shpenzimeve të tepërta që bën Qeveria. Një tjetër masë që thuhet të jetë përmendur nga PDK-ja është edhe mundësia e fuzionimit të disa nga më shumë se 30 agjencive të pavarura, që, përveç shpenzimeve, “do të ulte edhe numrin e shefave”.

Burimi ka thënë se AKR-ja është pajtuar në parim me një qasje të tillë, sikur edhe me idenë që marrëveshja e re e koalicionit të bëhet publike.

Çështja e riformatizimit të Qeverisë ka kohë që pritet të ndodhë, ndërsa kohët e fundit ajo ka dalë në sipërfaqe si prioritet, sidomos për partinë e Pacollit.

Me dorëheqjen e Bedri Hamzës nga posti i ministrit të Financave, si dhe me kalimin e ministrit të FSK-së, Agim Çeku, nga Partia Socialdemokrate e Kosovës në PDK-në e Thaçit, është shtuar presioni i Pacollit ndaj Thaçit për rishikim të ndarjes së posteve ministrore.

Bisedat për “ristartimin” e koalicionit qeverisës mes PDK-së dhe AKR-së janë intensifikuar pas dështimit të negociatave mes Thaçit e Ramush Haradinajt dhe Aleancës për Ardhmëri të Kosovës, për shkak të refuzimit nga ana e PDK-së që Haradinajt t’ia lëshojë postin e kryeministrit. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)