PDK e AAK tërhiqen nga akuzat e së kaluarës
Prishtinë, 25 dhjetor - Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë avancuar dialogun për krijimin e koalicionit të ri. Ligji për zgjedhje dhe përfundimi i zgjedhjeve brenda PDK-së janë pengesat e vetme që po e ndalin hyrjen ne koalicion të dy rivalëve të moçëm Ramush Haradinaj e Hashim Thaçi.
Afrimi politik ka bërë edhe që dy partitë ti tërheqin akuzat që ia bënin njëra-tjetrës dikur, shkruan Koha Ditore.
Zyrtarët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po e presin zyrtarizimin e koalicionit me partinë e kryeministrit Hashim Thaçi. Lideri i kësaj partie, Ramush Haradinaj, pret që të ulet në krye të kabinetit qeveritar sa më shpejt që të jetë e mundur.
Koha ideale, sipas zyrtarëve të afërt me të dyja partitë, do të ishte që Haradinaj të niste vitin 2013 si kryeministër, por një gjë e tillë nuk duket e arritshme për shkak të dy proceseve paralele që duhet të ndodhin paraprakisht: zgjedhjet brenda PDK-së dhe reforma e sistemit zgjedhor të Kosovës.