PDK e AAK nuk arrijnë marrëveshje për koalicionin
Prishtinë, 4 shkurt - Delgacionet e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), të prira nga Kryetari Ramush Haradinaj dhe Kryeministri Hashim Thaçi, u takuan sot për të shqyrtuar mundësinë e bashkëpunimit në Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Zyra e informimit të AAK-së ka bërë të ditur se pas shqyrtimit të gjendjes aktuale politike në Kosovë, nuk u arrit marrëveshja e cila do të mundësonte bashkëqeverisjen e PDK-së dhe AAK-së, në rrethanat e tanishme.
"AAK sërish përsëritë që do të ofrojë kontributin e saj në adresimin e çështjeve me interes shtetëror, siç janë: Dialogu në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë; Reforma e sistemit zgjedhor dhe Integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian", thuhet në njoftimin e AAK-së.
Si parti opozitare, AAK do të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat politikë për përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës, dhe për krijimin e rrethanave më të volitshme për Kosovën, për ta siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë politike dhe ekonomike të Republikës së Kosovës.