PDK dorëzon ankesën në gjykatë
Prishtinë, 18 korrik - Partia Demokratike e Kosovës ka dorëzuar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese vendimin e seancës konstituitive të Kuvendit e përmes së cilës konteston zgjedhjen e Isa Mustafës si kryeparlamentar.
Kërkesa e PDK-së është bërë në emër të të gjithë deputetëve të kësaj partie, të përfaqësuar nga deputeti Xhavit Haliti.
Ky i fundit, pasi dorëzoi bashkë me nënkryetarin e partisë Memli Krasniqi lëndën në gjykatë, tha se partia e tyre nuk e njeh udhëheqësin e ri të Kuvendit, ndërsa kërkon që procesi i zgjedhjes të rikthehet në fillim.
Ne sot dorëzuam një kërkesë të deputetëve të grupit tonë parlamentar, përmes të cilës kontestuam zgjedhjen e kryetarit të Parlamentit, përmes të cilës janë bërë shkelje të Kushtetutës dhe proçedurave. Ne kërkojmë që e gjithë kjo proçedurë të pezullohet dhe të mbahet seancë e re, deklaroi Haliti.
Haliti dhe Krasniqi thanë se presin që vendimet e Kuvendit në seancën konstituitive të anulohen pasi janë marrë duke shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Punës.
Deputetët e PDK-së në listën e pyetjeve për Gjykatën Kushtetuese kanë filluar nga shkelja që ata pretendojnë se ka bërë ish-kryetari i Kuvendit Jakup Krasniqi më 12 korrik, kur është bërë rendi i ditës për seancën konstituitive ku në atë mbledhje u bë njoftimi për grupin parlamentar LDK-AAK-Nisma.
Në kërkesën e tyre, deputetët e PDK-së kanë kërkuar edhe sqarime dhe konfirmime se cili është grupi më i madh parlamentar në Kuvend, ndërsa për këtë çështje kanë ofruar edhe argumente ligjore.
Po ashtu, ata kanë pyetur për ligjshmërinë e shkarkimit të kryesueses së seancës që e kishte mbyllur atë dhe për ligjshmërinë e mbajtjes së seancës tjetër.
Në fund të kërkesës, deputetët e PDK-së i kanë bërë thirrje gjykatës që të vendosë si masë të përkohshme pezullimin e procesit konstituitiv të Kuvendit deri në pritje të vendimit përfundimtar të saj.