PD kërkon lehtësime në dhënien e vizave për qytetarët e Kosovës
Prishtinë, 23 korrik - Dega e Tretë e Partisë së Drejtësisë në Prishtinë, në një letër të hapur kërkon nga Ambasadat e Bashkimit Evropian në Prishtinë lehtësime në dhënien e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës.
"Janë të shumta rastet kur qytetarëve tanë u refuzohet dhënia e vizës për vizita të familjarëve, vizita turistike apo për arsyeje biznesi", thuhet në letrën e PD-së.
Për qytetarët e Republikës së Kosovës aplikimi për vizë Schengen është mjaftë i mundimshëm, pasi nga ata kërkohen shumë dokumente dhe të paguajnë taksën e aplikimit.
Kjo sipas PD-së bëhet edhe më e rëndë kur për shkak të refuzimit ata detyrohen të aplikojnë shumë herë.
"Ne kërkojmë fuqishëm që qytetarëve tanë tu lehtësohet marrja e vizës deri sa Republika e Kosovës të fitojë liberalizimin e plotë."
"Edhe pse kemi mbetur vendi i fundit në rajon që i mungon qarkullimi i lirë, të paktën lehtësoni atë", thuhet në fund të letrës së PD-së.