Pas njohjes nga Lesoto, Hoxhaj vazhdon lobimin në Afrikë
Prishtinë, 12 shkurt Pas njohjes së Kosovës nga Mbretëria e Lesotos, ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka filluar një turne lobues në kontinentin e Afrikës.
Gjatë qëndrimit atje, ministri Hoxhaj do të zhvillojë takime me burrështetas të shumë shteteve të kësaj pjese të botës, në kuadër të angazhimeve për përmbylljen e procesit të njohjeve për Kosovën.
Hoxhaj do të prezantojë argumentet e fuqishme për njohjen e Kosovës nga të gjitha shtetet e këtij kontinenti të cilat pritet ti bashkohen 106 vendeve të tjera të botës të cilat tashmë kanë marrë një vendim të tillë.
Ministri Hoxhaj, gjatë dhjetorit të vitit të kaluar, në kuadër të Samitit Franko-Afrikan që ishte zhvilluar në Paris, kishte takuar dhjetëra përfaqësues të lartë të shteteve afrikane, ndër të cilët edhe ministrin e Jashtëm të Lesotos, Mohlabi Tsekoa.
Ministri Tsekoa të martën e ka informuar ministrin Hoxhaj se shteti i tij, Mbretëria e Lesotos, ka marrë vendim për njohjen e Kosovës, duke u bërë shteti i 106 anëtar i Kombeve të Bashkuara që e njeh pavarësinë e Kosovës
Vizita e ministrit Hoxhaj në Afrikë, pritet të ketë rezultate të rëndësishme konkrete në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.