Pas Klinës, Veseli në Gjakovë për Krishtlindje
Prishtinë, 25 dhjetor - Gjatë vizitave të djeshme në familjet e besimit katolitik, për urime të festës së Krishtlindjes, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka qëndruar edhe në qytetin e Klinës.
Pas vizitës në disa familje Veseli u ndal në ambientet e kishës Zoja e këshillit të mirë , ku u prit nga Don Lenc Sopi - meshtar i kësaj kishe dhe Imami i Klinës Hetem Desku.
Me këtë rast Veseli ka theksuar se kjo mënyrë e festimit të përbashkët mes dy përfaqësuesve të dy besimeve tregon më se miri për traditën tonë madhështore të bashkëjetesës fetare. Traditë që po frymëzon sot njerëz anë e kënd botës që përpiqen për paqen e mirëkuptimin mes njerëzve. Koncepti i tolerancës është i ngushtë për të përshkruar harmoninë tonë fetare, kjo është harmoni vëllazërore, që ashtu siç e trashëguam të fuqishme nga baballarët tanë, kemi obligim kombëtar e fetar tua përcjellim brezave që do vijnë pas nesh, ka deklaruar Veseli.
Pas Klinës, kryetari Veseli ka udhëtuar drejt Gjakovës, ku së bashku me bashkëshorten e tij mori pjesë në meshën e Krishtlindjeve e cila u mbajt në Kishën e Shën Palit dhe Shën Pjetrit të këtij qyteti.