20 Janar 2025

Partneriteti me MCC-në rikonfirmim i përkrahjes së SHBA-ve

Prishtinë, 24 shkurt - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti në takim një delegacion të lartë nga agjencia qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit (MCC), të kryesuar nga zëvendëspresident i MCC-së, Kamran Khan.

Pas takimit, kryeministri Mustafa dhe zëvendëspresidenti Khan dhanë nga një deklaratë për media.

Kryeministri Mustafa tha se një prej arritjeve më të rëndësishme të Kosovës gjatë vitit të kaluar, ka qenë edhe vendimi i Bordit të MCC-së për të përzgjedhur Kosovën për të përfituar një grant të gjerë investimesh nga kjo agjenci.

“Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova është kualifikuar të zhvillojë programin “Kompakt” të ndihmës, program i gjerë investimi, që do t’i mundësojë Kosovës transformimin ekonomik me fokus krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhdukjen e varfërisë”, tha kryeministri Mustafa.

Zëvendëspresidenti i MCC-së, Kamran Khan, tha se me përzgjedhjen e Kosovës nga Bordi i MCC-së për programin “Kompakt”, është dëshmuar progresi i madh që është bërë në këtë vend të ri, në vendosjen e parimeve demokratike, vënien e vëmendjes tek sundimi i ligjit dhe progresi i bërë në shumë indikator, shumica prej të cilëve janë reflektuar në fletënotimin e MCC-së. “Këta janë indikatorë që MCC i shikon, në kuptimin e përzgjedhjes së vendeve për programin “Kompakt”. Dhe për Kosovën, që të jetë e përzgjedhur në këtë moshë të re dhe në një periudhë mjaft të shkurtër kohore, është një arritje e madhe”, tha zëvendëspresidenti Khan.


Deklarata e plotë e kryeministrit Mustafa:      


Unë sot pata nderin të mirëpres në takim delegacionin e lartë nga Uashingtoni të agjencisë qeveritare amerikane Korporata Sfidat e Mijëvjeçarit, të udhëhequr nga z. Kamran Khan, zëvendës president i MCC-së. Sot, me ne këtu së bashku është edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe delegacioni tjetër i cili ka ardhur së bashku me z. Khan.

Vlerësoj se një prej arritjeve më të rëndësishme të Kosovës gjatë vitit të kaluar, ka qenë edhe vendimi i Bordit të MCC-së për të përzgjedhur Kosovën për të përfituar një grant të gjerë investimesh nga kjo agjenci. Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova është kualifikuar të zhvillojë programin “Kompakt” të ndihmës, program i gjerë investimi, që do t’i mundësojë Kosovës transformimin ekonomik me fokus krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhdukjen e varfërisë.

Fillimi i partneritetit ndërmjet Kosovës dhe MCC-së është rikonfirmim i përkrahjes së vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përparimin afatgjatë të Kosovës, por gjithashtu edhe njohje e progresit të Qeverisë së Republikës së Kosovës në bërjen e reformave për zhvillim demokratik, për qeverisje të mirë dhe për sundim të ligjit. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se ne kemi arritur maksimumin, por duhet të punojmë edhe më tutje që këto vlera t’i rrisim.

Unë e sigurova sot z. Khan që Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar në bashkëpunimin dhe partneritetin me MCC-në, me qëllim të realizimit sa më të shpejtë dhe sa më të suksesshëm të këtij programi.

Reformat e arritura dhe rezultatet pozitive në shumë fusha janë komponenta  më e rëndësishme që Kosova është përzgjedhur të përfitojë nga fondet e MCC-së. Procesi i përzgjedhjes së shteteve përfituese nga MCC-ja është gjithmonë një proces rigoroz dhe për t’u kualifikuar një shtet duhet të kalojë së paku 10 prej 20 indikatorëve të domosdoshëm.

Me z. Khan, po ashtu, sot biseduam për rrugën që duhet të bëjmë përpara dhe përgatitjet që duhet t’i bëjmë si institucione për fillimin e zhvillimit të programit. Para dy javëve unë kam ftuar këtu Komisionin për Planifikim Strategjik dhe së bashku me ministrat e Qeverisë kemi biseduar lidhur me bashkërenditjen që duhet ta bëjmë dhe lidhur me shpejtimin e punëve që ne duhet t’i kryejmë, si dhe ekipimin në mënyrë që Kosova t’i përmbush sa më shpejtë detyrimet e saj në fazën përgatitore.

Unë do të emëroj shumë shpejt Koordinatorin Nacional të Kosovës për MCC dhe një ekip teknik të ekspertëve kosovar që do të zhvillojnë programin, sipas udhëzimeve të kërkuara nga MCC. Ky ekip do të bashkërendojë dhe do të zhvillojë analizën e pengesave për zhvillim, analizën e kthimit ekonomik, do të udhëheqë konsultime të gjera me shoqërinë civile dhe me komunitetin e biznesit, si dhe do të bashkërendojë me ministritë sektoriale hartimin e projekteve investuese.

Zhvillimi i programit të asistencës është i kushtëzuar me vazhdimin e përkushtimit të Kosovës në avancimin e reformave në të gjitha fushat, e posaçërisht në mbrojtjen e të drejtave demokratike dhe luftën e pa kompromis kundër korrupsionit, që u shtrua edhe sot në bisedë me nënkryetarin e MCC-së, z. Khan.

Vizita e delegacionit të MCC-së është një lajm shumë i mirë për Kosovën. Ne mbesim të përkushtuar në ndërtimin e një partneriteti të suksesshëm ndërmjet Kosovës dhe MCC-së në zhvillimin ekonomik. Unë dëshiroj që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emër të qytetarëve të Kosovës të falënderoj MCC-në për këtë hap shumë të rëndësishëm që ka bërë për ne, dhe të shpreh zotimet se ne do të punojmë që të përmbushim të gjitha detyrimet tona.


Deklarata e plotë e zëvendëspresidentit Khan:


Është kënaqësi për ne të jemi këtu, nën lidershipin e ambasadorit tonë, për të pasur këtë dialog të nivelit të lartë me kryeministrin rreth angazhimit të MCC-së në Kosovë.

Me përzgjedhjen e Kosovës nga bordi i MCC-së për programin “Kompakt”, është dëshmuar progresi i madh që është bërë në këtë vend të ri, në vendosjen e parimeve demokratike, vënien e vëmendjes tek sundimi i ligjit dhe progresi i bërë në shumë indikator, shumica prej të cilëve janë reflektuar në fletënotimin e MCC-së. Këta janë indikatorë që MCC i shikon, në kuptimin e përzgjedhjes së vendeve për programin “Kompakt”. Dhe për Kosovën, që të jetë e përzgjedhur në këtë moshë të re dhe në një periudhë mjaft të shkurtër kohore, është një arritje e madhe. Ne e dimë se ka shumë punë ende për t’u bërë, sidomos në indikatorët që kanë të bëjnë me arritjet e progresit në kontrollin e korrupsionit dhe të drejtat demokratike, por sot është ditë e përgëzimit dhe analizimin e atyre që janë arritur.

Kryeministri dhe delegacioni jonë kanë pasur diskutime të detajuara dhe diskutime mjaft të frytshme për hapat e ardhshëm. Objektivat e MCC-së janë shumë të thjeshta. Synimi ynë është që të zvogëlojmë varfërinë përmes rritjes ekonomike. Dhe ne i kushtojmë rëndësi të dy elementeve, varfërisë dhe rritjes ekonomike.

Në këtë mënyrë, grantet e MCC-së shikohen si mbështetje e popullit amerikan për popujt ku MCC vepron.

Programi “Kompakt” është një themel për një partneritet të mundshëm dhe të frytshëm mes popullit amerikan, që duan të mbështesin popullin e Kosovës në rritje ekonomike dhe të zvogëlojnë varfërinë, dhe të bëjnë rrugën për zhvillim më të lehtë, më të qartë dhe më transparent.

Ne kemi folur për mënyrën se si MCC do të punoj, së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe popullin e Kosovës për të zbatuar këto ndryshime. Modeli i MCC-së është mjaft i përqendruar rreth konceptit të pronës shtetërore. Çfarë nënkupton kjo është që pronësia e gjithë kësaj sipërmarrjeje do të bie me njerëzit e Kosovës, të cilët do të jenë ata që do të zhvillojnë idetë, duke kaluar përmes punës përgatitore, për të bërë punën e zellshme, në mënyrë që të kuptojnë se si është mënyra më e mirë për të shfrytëzuar grantet e MCC-së për të krijuar punë, për të ndihmuar rritjen ekonomike, që mund ta eliminoj varfërinë në Kosovë.

Puna e MCC-së do të jetë që të jap grante, të bëjë ndihmën e duhur teknike, të vë në dispozicion njohuritë ndërkombëtare dhe të ofrojë modelin që ne e kemi përdorur përreth botës me shumë sukses gjatë 11 viteve të punës sonë.

Ky është një model që ka shërbyer për shumë partnerë tanë. Kryeministri dhe unë kemi pasur një diskutim të frytshëm po ashtu për afatet kohore të angazhimit tonë. Dhe jemi pajtuar se koha nuk do të mund të ishte më e përshtatshme. Ku është Kosova sot, çfarë i duhet sot dhe çfarë ka arritur, ku janë institucionet dhe mjedisi regjional në të cilin ju veproni, si dhe mjedisi global që ju rrethon, bënë që kjo të jetë koha e duhur për MCC–në që të angazhohet me një shtet si Kosova. Ne nuk sjellim vetëm ekspertizën tonë teknike dhe grantet, por, po ashtu, kemi një model biznesi që mundëson shtetet që, përmes modelit të pronës shtetërore, të zbatojnë programe mjaft të komplikuara të zhvillimit. Dhe ne kemi arsye për të besuar se do të jemi të suksesshëm në situatën që ekziston këtu në Kosovë, duke parë kapacitetet tuaja, entuziazmin, dhe angazhimin e Qeverisë dhe popullit të Kosovës.

Ne po ashtu besojmë fuqishëm se resurset e granteve duhet të jenë të kombinuara edhe me resurset tjera. Kështu që ne do të sigurohemi që grantet tona do të mundësojnë lëvrimin për partnerët zhvillimor dhe për sektorin privat.

Kjo është diçka që e kemi bërë përreth botës dhe presim që të kemi qasje të njëjtë edhe në Kosovë.

Dhe në fund, në mënyrë që të kemi zhvillim të qëndrueshëm dhe për të tërhequr  kapitale nga burime tjera, është po ashtu me rëndësi që të kemi politikat e duhura.

Politikat sektoriale dhe institucionale janë të domosdoshme për ta bërë të qëndrueshëm zhvillimin, por ndoshta më e rëndësishme për një shtet është aftësia që të përsëris këto projekte vetë, ndoshta me donatorë tjerë, me para të veta, apo kështu me radhë.

Pra, kjo do të jetë qasja e MCC-së, dhe e vetmja gjë që dua të theksoj që nuk është përmendur ende, është fokusimi i mëtejmë në fletnotimin e MCC-së për çështjet që unë i përmenda.

Këto çështje janë qendrore dhe të fokusuara në mënyrën se si funksionon MCC-ja, por edhe për vendet ku operon.

Tek sundimi i ligjit dhe parimet demokratike, ne duhet të vazhdojmë të arrijmë progres në këto fusha. Dhe kjo do të forcoj partneritetin tonë, dhe sigurisht do ta bëjë punën e MCC-së shumë më të lehtë, si partner dhe mik në zhvillim.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)