07 Maj 2024

Partitë politike jotransparente rreth financave të tyre

Prishtinë, 9 nëntor - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK) ka lancuar të mërkurën Raportin e projektit hulumtues CRINIS Kosova 2011, që ka për qëllim vlerësimin e kornizës ligjore dhe zbatimin e ligjeve të cilat rregullojnë financimin e subjekteve politike, e sidomos aspektin e transparencës.

Raporti hulumtues CRINIS Kosova 2011: Legjislacioni dhe praktikat në financimin e subjekteve politike, fokusohet në financat e rregullta vjetore të vitit 2010 të gjashtë subjekteve politike (PDK, LDK, AKR, AAK, KDTP, SLS), dhe mbështetet në 10 dimensione të cilat janë: 1) Mbajtja e librave të kontabilitetit nga ana e SP, 2) raportimi ne KQZ, 3) sa gjithëpërfshirëse janë këto raporte, 4) sa të detajuara janë ato, 5) besueshmëria e raportimit, 6) publikimi i raporteve, 7) masat parandaluese, 8) masat ndëshkuese, 9) mbikëqyrja nga shteti dhe 10) mbikëqyrja nga publiku. Metodologjia e përdorur përfshin ekzaminimin e kornizës ligjore për transparencën e financimit të subjekteve politike dhe krahasimin me parimet e njohura ndërkombëtare.

Merita Mustafa, menaxhere e programit të KDI-së, Transparenca dhe anti-korrupsioni, ka thënë se në bazë të hulumtimit CRINIS, legjislacioni i Republikës së Kosovës për financimin e subjekteve politike është vlerësuar me notën 6.6, e që do të thotë se ky legjislacion ende nuk përkon me standardet demokratike. “Një prej mangësive kryesore është mos-përcaktimi i rregullave për të tërhequr fonde nga donacionet private të cilat bëjnë punë kontraktuale me qeverinë, e që edhe është dhënë si vërejte nga KE. Të tjera mangësi të ligjit të cilat raporti CRINIS i vë në pah janë: mos-përcaktimi i datës dhe mënyrës së publikimit të raporteve financiare, sanksionet e dobëta dhe masat parandaluese, të cilat vlerësohen si mesatare”.

Sipas Mustafës, vakuumi ligjor, mungesa e mbikëqyrjes nga ana e KQZ-se dhe e publikut, dhe mungesa e vullnetit nga ana e subjekteve politike, kanë bërë që këto të fundit të menaxhojnë me financat e tyre në mënyrë krejtësisht jo-transparente. “Kjo mungesë e transparencës dhe e llogaridhënies ndaj institucioneve përgjegjëse dhe ndaj publikut bënë që në raportet ndërkombëtare subjektet politike të vlerësohen ndër institucionet më të korruptuara në Kosovë. Vlerësime të njëjta janë bërë edhe nga akterët tjerë të shoqërisë civile, të cilët theksojnë se subjektet politike janë skajshmërisht të centralizuara, jo-demokratike dhe gëzojnë imazhin e institucioneve me besueshmërinë më të ulët”. Këtë e vërteton edhe fakti që subjektet politike e kanë shpërblyer veten me një dyfishim të fondit shtetëror dedikuar financimit të tyre, që është cilësuar edhe si arbitrar (nuk është proceduar në përputhje me Rregulloren e Kuvendit të Republikës së Kosovës)”, ka thënë Mustafa.

“Edhe pse ky fond tanimë ka arritur një shumë prej 4 milion eurove dhe i cili është duke u ndarë nga taksat e qytetareve, qytetari vazhdon të injorohet duke mos pasur asnjë informacion mbi mënyrat e shpenzimit të këtij fondi”.

Nga ana tjetër, Enis Xhemaili, hulumtues kryesor i raportit CRINIS, ka thënë se edhe legjislacioni aktual që rregullon financimin e subjekteve politike - me gjithë zbrazësitë që i ka - duhet të zbatohet si nga subjektet politike edhe nga KQZ-ja. Ai po ashtu ka kërkuar që të ketë një ligj të vetëm për zgjedhjet: “Të gjitha çështjet që ndërlidhen me financimin e subjekteve politike, duke përfshirë financimin e rregullt, financimin për zgjedhjet e përgjithshme, lokale dhe atyre presidenciale, të përfshihen në një ligj të vetëm: Ligjin për financimin e subjekteve politike” ka thënë Xhemaili. “KQZ-ja duhet të publikojë raportet financiare të rregullta për vitin 2009 dhe 2010, kurse subjektet politike duhet t’i kryejnë obligimet e tyre ndaj KQZ-së me kohë dhe përpikëri”.

Sipas raportit, asnjë hetim nuk është kryer nga KQZ-ja, apo organet tjera përgjegjëse për të gjeturat e auditimit për zgjedhjet e vitit 2009. Po ashtu asnjëherë nuk janë shqiptuar gjoba për raportim jo të plotë nga ana e subjekteve politike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)