21 Janar 2025

Partitë politike financohen nga burimet e ‘fshehura’

Prishtinë, 17 dhjetor - Grupi për Studime Juridike dhe Politike shpreh shqetësimin e thellë për dështimin e vazhdueshëm të auditimit të partive politike.

Dren Doli, nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka theksuar se partitë politike do të duhej të informonin publikun për mënyrën e financimit të tyre.

“Bizneset në një formë fatkeqësisht janë orientuar në financimin e partive politike, dhe kush do që vije në pushtet atëherë ata kërkojnë që ky investim i tyre të kthehet nëpërmes tenderëve”, ka shtuar Doli.

Në anën tjetër, Artan Demhasaj nga Organizata "Çohu", ka treguar se në bazë të një studimi të bërë kanë evidentuar se janë bizneset apo individët që financojnë partitë politike, e të cilët më pas shpërblehen me tenderë publik.

“Në një hulumtim që organizata "Çohu" dhe Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese ‘Preportr’, ka rezultuar se prej vitit 2007 deri në vitin 2014 financuesit e partive politike kanë marrë 4421 tenderë ku kanë përfituar përafërsisht 220 milionë euro përmes procesit të tenderimit publik”, ka treguar Demhasaj.

Financimi transparent i partive politike është kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër raportet e progresit që publikon Komisioni Evropian.
 
Aty thuhet se transparenca e financimit të partive politike paraqet një komponentë esenciale të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Dren Doli nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, ka treguar se për tre vite radhazi partitë politike në Kosovë nuk kanë pasur auditim, kjo për arsye se Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike në Kuvendin e Kosovë ka dështuar të zgjedhë grupet e auditorëve që do të bëjnë auditimin e këtyre partive politike.

“Qe tri vite pikërisht deputetët që janë anëtarë të këtij Komisioni për mbikëqyrjen e financave publike, qëllimisht, se nuk ka arsye tjetër, nuk kanë qenë në gjendje të hapin një konkurs dhe kanë lejuar që dy konkurset e mëparshme që janë hapur për selektimin e auditorëve, që do të auditojnë raportet financiare të partive politike kanë dështuar".

"Pra, është çështje e vullnetit të tyre të munguar dhe është çështje e përgjegjësisë së tyre të drejtpërdrejtë”, thekson Doli.

GSJP-ja rikujton publikun dhe në veçanti partitë politike të përfaqësuara në Kuvend që auditimi i partive politike nuk ka ndodhur që tri vite, pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit të këtyre të fundit që të garantojnë një gjë të tillë.

Auditimi i financimit të partive politike është parakusht themelor për funksionimin demokratik të institucioneve dhe jetësimin e shtetit ligjorë në Kosovë.

Auditimi i rregullt vjetor, dhe transparenca e plotë e burimeve të financimit të partive politike është, për më tepër, një kërkesë e shprehur në vazhdimësi nga Komisioni Evropian në të gjitha raportet e fundit të Progresit, si dhe është i lidhur ngusht me axhendën evropiane të Kosovës.

Në kuadër të mbështetjes që i bën Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, GSJP-ja, duke u bazuar në Ligjin për Financimin e Subjketeve Politike, standardet e kontabilitetit të zbatueshëm në Kosovë, si dhe standardeve dhe praktikave ndërkombëtare të audimit në përgjithësi dhe auditimit të subjekteve politike në veçanti, ka hartuar një listë të kritereve dhe termave të referncës për përzgjedhjen e autitorëve.

GSJP-ja ka bërë këtë me qëllim që të kontribuojë dhe të ndihmoj Sekretariatin e Kuvendit në shpalljen e konkursit publik për përzgjedhjen e auditorëve. Kjo listë është dorëzuar në Qershor të këtij viti, megjithatë, për shkak të mungesës së vullnetit politik, ky konkurs nuk është shpallur.

GSJP kërkon nga Kuvendi i Kosovës dhe Komisioni për Mbikqyrje të Financave Publike që të përshpejtojë këtë proces, dhe që nëpërmjet një procesi të hapur dhe transparent, të grantoj përzgjedhjen e auditorëve të besueshëm që marrin përsipër këtë rol.

Transparenca e financimit të partive politike do t’i mundësonte publikut të njoh lidhjet në mes të financuesve të partive politike dhe procesit të vendim-marrjes, si dhe shpenzimit të buxhetit të Kosovës. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)