Partitë politik po manipulojnë më të mitur në fushata
Zgjedhjet lokale të 3 Nëntorit 2013 mbahen në pajtim me Kushtetutën, Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, Ligjin për Zgjedhjet Lokale dhe Ligjit për Vetëqeverisje lokale.
KQZ për këto zgjedhje ka certifikuar 102 subjekte politike që do të garojnë në të gjitha qytetet e Republikës së Kosovës. Organizimi i zgjedhjeve lokale në gjithë territorin e Kosovës përfshirë këtu edhe komunat veriore të banuara me popullatë me shumicë serbe, ka shtuar vëmendjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve qeveritare e jo qeveritare vendore për pjesëmarrje dhe gjithë-përfshirje të të gjithë qytetareve me të drejtë vote në zgjedhje.
Subjektet politike kanë filluar fushatën zgjedhore para datës zyrtare të fillimit të fushatës. Kjo është mundësuar si pasojë e mungesës së sanksioneve të parapara, fakt nga i cili subjektet politike kanë përfituar.
Qytetarët nuk po arrijnë të i njohin kandidatët për kryetarë të komunave sepse liderët e subjekteve të tyre politike po i lënë ata nën hije. Duket se këta të fundit po i masin forcat në mes veti dhe po e testojnë përkrahjen potenciale të publikut për zgjedhjet e ardhshme nacionale, ka thënë në mes tjerash Ismet Kryeziu, udhëheqës i Koalicionit Demokracia në Veprim.
Fushata po ndërron formë, ku përveç tubimeve publike, subjektet politike gjithnjë e më shumë po bëjnë fushatë Derë më Derë ku po realizohen takime të drejtpërdrejta me qytetarët në shtëpitë e tyre, janë evidentuar në gjithë Kosovën nga shumica e subjekteve politike.
Sipas Kryeziut, vëzhguesit afatgjatë të DnV-së kanë vëzhguar nga afër 217 takime publike të subjekteve politike dhe vlerësoi se në këto takime pjesëmarrja e qytetarëve ka arritur rreth 40.000 qytetarë apo rreth 2.35 % e trupit elektoral, bazuar në trendët e mëhershme kjo tregon një inferioritet të qytetarëve për të përcjellë nga afër fushatat zgjedhore.
Për më tepër, subjektet politike po praktikojnë edhe qasje manipuluese duke i përdorur të miturit në fushata zgjedhore, madje duke ndikuar dhe shfrytëzuar autoritetin e drejtorëve dhe profesorëve nga shkollat e mesme.
Në takimet e subjekteve politike, evidente është pjesëmarrja e fëmijëve dhe nxënësve në variacion nga 5 deri në 20 % të pjesëmarrësve. As vendosja e materialeve propaganduese nëpër objekte politike, e as grisja e posterëve nga militantët e partive politike e kandidatëve rival, nuk mungojnë.
KQZ është duke mbajtur mbledhje shumë rrallë. Mos mbajtja e mbledhjeve të shpeshta (që normalisht ishte dashur të mbahen në periudhë zgjedhore) vështirëson informimin e publikut dhe e bën punën e KQZ jo transparente dhe jo-efikase.
Sa i përket KKZ-ve, shumica e vëzhguesve afatgjatë të Demokracisë në Veprim kanë raportuar se as këta mekanizma nuk mbajnë mbledhje të rregullta dhe informacionet tek anëtarët e KKZ-ve komunikohen përmes telefonit ose në mbledhje jo-formale nëpër kafe-bare të ndryshme.
Demokracia në Veprim është e shqetësuar me nivelin e trajnimeve që do të marrin anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve (KVV) kur dihet se ato janë hallka kryesore që sigurojnë mbarëvajtjen e procesit zgjedhor gjatë ditës së zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e kaluara është dëshmuar që trajnimet e anëtarëve të KVV-e nuk kanë qenë kualitative, madje në bazë të bisedave në terren një numër i konsiderueshëm i komisionerëve as nuk i kanë ndjekur këto trajnime.
Deri më tani dihet që janë mbajtur trajnimet për trajnerë për KVV, mirëpo nuk ka asnjë raport zyrtar nga KQZ se si kanë shkuar këto trajnimet. DnV i bënë thirrje KQZ-së që të krijojë një grup mbikëqyrës që do të mbikëqyrte nivelin e trajnimeve që do të marrin anëtarët e KVV-ve nëpër komuna.
Në trupat menaxhues zgjedhor gruaja është e përfshirë vetëm simbolikisht. Këtë e ka dëshmuar lista e publikuar nga KQZ me kryesuesit e Komisioneve Komunale Zgjedhore (KKZ) të përzgjedhur nga KQZ-ja, dhe anëtarët e emëruar nga subjektet politike në KKZ. Përqindja në bazë gjinore qëndron 90% me 10% në favor të gjinisë mashkullore.
Sipas Kryeziut, fushata zgjedhore përgjithësisht është zhvilluar e qetë dhe pa ndonjë incident kritik gjatë kësaj jave.
Megjithatë, ekspozimi i armëve në tubime si mbrojtje për personat publik është vërejtur se po shkakton iritim tek qytetarët.
Nga vëzhguesit e DnV-së janë identifikuar 9 raste të ekspozimit të armëve në tubimet partiake nga personat e që shërbejnë për mbrojtjen e afërt për personat publik; 5 raste në tubimet e PDK së, 2 raste në tubimet e AAK së, dhe 2 raste në tubimet e AKR së.
Po ashtu është raportuar që janë dëmtuar 2 makina të kandidatëve për kryetar komune të Junik-ut nga radhët e LDK-së z. Zenun Shala, dhe makina e zyrtarëve të PDK-së në fshatin Damanek komuna e Malishevës.
Të dhënat zyrtare të siguruara nga PZAP, del se deri me datën 10.10.2013, nga ana e subjekteve politike janë parashtruar 78 Ankesa. Gjithnjë sipas të dhënave zyrtare numrin ma të madh të ankesave e ka parashtruar LDK me gjithsejtë 28, e pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje me 27, PDK me 19, Bashkimi Demokratik 1 dhe SLS 3.
Subjekti ndaj të cilit janë adresuar më së shumti ankesa është PDK me 37, e pasuar nga LDK me 17, AAK me 13, AKR , LVV 1 etj. Për nga natyra e ankesave, prinë 29 ankesat për vendosjen e posterave ne objekte publike, vendosja e 18 posterave ne shenja publike te trafikut, vendosja e 8 posterave mbi rrugë publike, dhe 5 ankesa për mbulim posterash.
Ndërsa Petrit Zogaj, anëtar i bordit të DnV-së, ka thënë se në kuadër të monitorimit të mediave të katër televizioneve kryesore në vend RTK1, KTV, RTV 21, dhe Klan Kosova, DnV ka analizuar të gjitha aktivitetet elektorale të cilat janë transmetuar gjatë edicioneve qëndrore të lajmeve, përkatësisht kronikat zgjedhore, spotet publicitare me ose pa pagesë, si dhe disa nga emisionet me karakter elektoral.
Nga spotet me pagesë në hapësirën e ndarë reklamuese të partive politike, LDK prin me 22 paraqitje, PDK me 15, dhe AKR me 13.
DnV ka realizuar monitorim të 7 gazetave të përditshme për datën 04 deri në 10 tetor. Gazetet e përditshme të monitoruara janë: Bota Sot, Epoka e Re, Koha Ditore, Kosova Sot, Lajm, Tribuna dhe Zëri. Në të gjitha gazetat janë shkruar 840 artikuj, ku PDK prin me 190, LDK me 168, AAK me 139, AKR me 100.
Ndarja e kohës së transmetimit në kronika zgjedhore për partitë politike për sa i përket mesatares së minutave në ditë tregon që PDK prin me 4.3 %, LDK me 3.7%, koalicioni AAK-LDD me 3.5%, VV me 2.9%, AKR me 2%, dhe partitë e tjera me 11.4%, ka thënë ndër të tjera Zogaj.