Partitë e humbën shansin për reformë zgjedhore
Prishtinë, 26 mars - Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arsim Bajrami, ka thënë se partitë politike nuk kanë bërë përpjekje që reforma zgjedhore, e cila ka filluar në vitin 2011, të jetë substanciale.
Në këtë intervistë për Epokën e re, Bajrami ka deklaruar se partitë politike kanë lëshuar rastin të bëjnë një reformë përmbajtjesore zgjedhore. Ajo çfarë është duke u diskutuar më tepër është një reformë formale, e cila konsiston me eliminimin e disa parregullsive teknike të cilat i ka pasur ligji i vjetër zgjedhor dhe përshpejtimin e disa afateve për përmbylljen e procesit zgjedhor. Mendoj se kjo është një mundësi e humbur, është shprehur Bajrami. Në këtë kontekst, Bajrami ka vlerësuar se në të ardhmen partitë politike përsëri do ti kthehen reformës zgjedhore.
Të gjitha partitë politike e kanë blerë kohën për të kalkuluar me momentin më të përshtatshëm për zgjedhje. Në të ardhmen do të duhej të mendohet për një ligj krejtësisht të ri zgjedhor, i cili aplikon standardet më të fuqishme demokratike për sa i përket sistemit zgjedhor, ka thënë Bajrami.
Sa i përket sistemit zgjedhor, Bajrami ka thënë se Kosova ka mbetur peng i formulës së Ahtisaarit. Akoma jemi peng i formulës së Ahtisaarit për sa i përket sistemit zgjedhor. Siç e dini, Paketa e Ahtisaarit ka paraparë që Kosova të jetë një njësi e vetme zgjedhore. Pra, këtu është problemi kryesor, që Kosova vazhdon të jetë një njësi e vetme zgjedhore. Dhe nuk ka aplikim të më shumë zonave derisa nuk hiqet dorë nga ky parim i Ahtisaarit, është shprehur Bajrami.
Ndërkaq duke folur për çështjen e reformës kushtetuese për zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli, Bajrami ka deklaruar se paritë politike janë frikësuar nga kjo mënyrë e zgjedhjes së shefit të shtetit. Si duket partitë politike u frikësuan se me zgjedhjen e presidentit drejtpërdrejt nga populli po cenohet parlamentarizmi, që është një keqkuptim dhe një mendim i gabuar, ka thënë Bajrami, duke shtuar se edhe më tutje posti i presidentit do të jetë pjesë e kalkimeve politike për koalicionet e ardhshme qeverisëse.
Bajrami nuk e ka përjashtuar mundësinë e përsëritjes së krizës institucionale sikurse në vitin 2011 për shkak të kalkulimeve me postin e presidentit. Ose do të shkaktojë krizë ose do të gjendet një president konsensual, i cili do ta plotësojë formulën e koalicioneve paszgjedhore, ka thënë Bajrami.