28 Prill 2024

Partitë dhe shoqëria civile pjesë e pastrimit te borës

Mitrovicë, 14 shkurt - Shumica e fshatrave të zonës së Shalës janë zhbllokuar nga bora, ndërkohë që Komuna e Mitrovicës ka angazhuar 8 kompani për pastrimin  e rrugëve.  Drejtuesit komunalë, në takimin e Komitetit për mbrojtje nga fatkeqësitë natyrore dhe nga fatkeqësitë tjera, njoftuan se kanë angazhuar edhe dy kompani të tjera, gjithsej 8 për pastrimin e borës.

Kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se organizimi i mirë ka bërë që situata të menaxhohet me sukses. “Reshjet e borës ditëve të fundit patën bllokuar shumicën e fshatrave, ndërsa tani shumica e tyre janë zhbllokuar”.

Ai ka vlerësuar angazhimin e të gjitha strukturave komunale, mandej kompanive private si dhe përfaqësuesit e partive politike dhe shoqërisë civile që janë bërë pjesë e organizmit, përkatësisht grupeve të formuara për të përcjellur gjendjen në terren. “Kjo formë e organizimit ka dhënë rezultat, meqë është rritur përgjegjësia”.

Murteza Berisha, përfaqësues i LDK-së, tha se është parë një organizim shumë i mirë që mund të jetë shembull për komunat tjera. “Kam dalur në terren dhe kam parë punën e mirë që është duke u bërë për pastrimin e rrugëve nga bora”.

Ndërsa Ibrahim Bala nga AKR-ja, gjithashtu e vlerësoi menaxhimin e mirë të situatës nga Komuna e Mitrovicës. Në ndërkohë kërkoi që të punohet edhe pastrimin e oborreve të shkollave prej borës, në mënyrë që të krijohen kushte për rifillimin e mësimit.

Sa i përket gjendjes aktuale në terren, foli drejtori për Shërbime Publike dhe Infrastrukturë, Rasim Veseli. Ai tha se dje kompanitë e angazhuara për pastrimin  e rrugëve kanë ndërhyrë në Mazhiq, Rashan, Tërrstenë, mandej Shipol, Vllahi, Melenicë, Zabërgj, Rahovë. Tha se janë pastruar edhe rrugët e veriut, si ato në Kroin e Vitakut,  Lagjen e Doktorëve, Vinarc, Vidimriq, në zonën e “Tre rrokaqiejve”.

Drejtori Veseli tregoi se është ndërhyrë edhe në Vidishiq, Bare, Bajgore, Kovaqicë, Kaqandoll, Shupkovc, Kqiq, mandej Koprivë, Brabaniq, Koshtovë e Vaganicë.

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se është duke punuar për hapjen e të gjitha rrugëve në Kovaqicë, mandej Selac dhe në zonat në thellësi që ende kanë probleme për qarkullim. Poashtu sqaroi se kanë në shfrytëzim edhe një motoski për të depërtuar edhe në zonat më të thella.          

Sa i përket rasteve urgjente që kanë nevojë për shërbime mjekësore, u tha se janë në dispozicion edhe ekipet mobile. Drejtori për Shëndetësi, Shaqir Demiri, tha se janë tetë ekipe mobile mjekësore të gatshme për të dalur në terren nëse paraqitet nevoja.

Në ndërkohë, mobilizimi i Komunës së Mitrovicës për zhbllokimin e rrugëve nga bora, ka ndikuar që të aktivizohet edhe shoqëria civile dhe qytetarët në këtë komunë. Të martën anëtarët e Lëvizjes  rinore “Koha”, në koordinim me zyrtarët komunalë kanë nisur një aksion për pastrimin e trotuareve nga bora.

Ferdi Kadriu nga Lëvizja “Koha”, tha se do të përpiqen që të mobilizojnë sa më shumë të rinj dhe qytetarë që t’i bashkohen aksionit të tyre. “Jemi në kontakt me të rinjtë, mandej do t’i bëjmë thirrje edhe pronarëve të lokaleve afariste etj, që të na bashkohen në këtë aksion”.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)