27 Prill 2024

Partitë, biznesi dhe KQZ, shtyllat më të dobëta të sistemit

Prishtinë, 27 korrik - Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) / Transparency International Kosova (TIK), ka publikuar studimin më të ri “Integriteti i Sistemit Institucional” (ISI). 


Ky studim përfshinë institucionet, sektorët, dhe veprimtaritë, që kontribuojnë në integritet, transparencë dhe llogaridhënie në një shoqëri.

Pjesëmarrësit në tryezën e organizuar me këtë rast kanë vlerësuar se studimi do të shërbejë si një material i vlefshëm për përmirësimin e performancës së institucioneve të vendit.

Sipër këtij studimi, partitë politike, sektori i biznesit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë identifikuar si shtyllat më të dobëta të sistemit. Këto institucione janë të dëmtuara nga mungesa e legjislacionit, boshllëqet e theksuara në zbatimin e ligjeve ekzistuese, si dhe ndërhyrjet e herëpashershme nga politika (nga Qeveria).

Drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu ka vlerësuar se zhvillimi i demokracisë në Kosovë vazhdon të has në vështirësi dhe të pengohet nga kultura dhe veprimet institucionale jo transparente, të përcjella me dukuri korruptive. “Korrupsioni ka marrë një shtrirje të jashtëzakonshme në Kosovë, ndërsa si rezultat i mos veprimit të duhur nga ana e institucioneve, niveli i tij vetëm sa është duke u rritur”, ka thënë Kryeziu.

Në prezantimin e studimit, Merita Mustafa, menaxhere në programin e antikorrupsionit në KDI, ka vlerësuar se studimi nuk flet më mbi atë nëse ka apo nuk ka korrupsion në vend, por sipas saj, flet për kapacitetin dhe mundësinë e institucioneve përgjegjëse për ta kundërshtuar këtë fenomen.

Sipas Mustafës, konstatohet se, edhe pse një kornizë ligjore mbështetëse, në përgjithësi është e vendosur për funksionimin e drejtë të institucioneve, ekzistojnë shumë pengesa, në lidhje me zbatimin efektiv të tyre. Për më tepër, siç tha ajo, ligjet janë shpesh jo të kompletuara ose u mungon legjislacioni mbështetës, sikurse udhëzimet, rregullat dhe standardet.

“Veç kësaj, ndërhyrja politike herë pas here e rrezikon pavarësinë e institucioneve dhe ndikon në një numër të proceseve kritike, si tek rekrutimi dhe prokurimi publik. Në përgjithësi, Ekzekutivi dominon, madje nganjëherë  edhe e kontrollon Kuvendin, Gjyqësorin, si dhe institucionet e tjera publike. Ndërsa, prania e institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, e zvogëlon edhe më tej pavarësinë e disa shtyllave, ku disa institucione ende varen nga agjenci të jashtme për mbështetje ekonomike dhe politike”, ka thënë Mustafa.

Pengesa të tjera për zbatimin efektiv të ligjeve, Mustafa ka shtuar se përfshijnë burimet e kufizuara, mungesën e qartësisë se ligjeve , kufizimet buxhetore, mungesën e trajnimeve, si dhe kuadrin mbështetës të pamjaftueshëm.

“Sipas këtij studimi del se: partitë politike, sektori i biznesit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë identifikuar, si shtyllat më të dobëta të sistemit. Këto janë  të dëmtuara nga mungesa e legjislacionit, boshllëqet e theksuara në zbatimin e ligjeve ekzistuese, si dhe ndërhyrjet e herëpashershme nga politika (nga Qeveria)”, ka thënë ajo.

Mustafa ka prezantuar të gjeturat edhe për institucionet tjera që paraqiten në studim, si legjislativi, ekzekutivi, gjyqësori, Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe sektori publik.

“Studimi konstaton se vullneti politik i Qeverisë është i mangët për të garantuar institucione me integritet, dhe se Qeveria mbetet të jetë një prej institucioneve më të kritikuara, për faktin se përveç performancës së dobët në kryerjen e obligimeve të saj, është përgjegjëse edhe për mosfunksionim e shtyllave të tjera, marrë parasysh intereferimin e që bënë në institucionet tjera, hezitimin për ndarjen e fondeve të mjaftueshme dhe hartimin e legjislacionit të nevojshëm”, ka thënë ajo.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, në panel ka folur Driton Lajçi, këshilltar i ministrit të Drejtësisë, njëkohësisht zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi. Lajçi ka shprehur vlerësimin për studimin, duke thënë se pikëpamjet e shoqërisë civile i konsiderojnë si pozitive. Ai më pas ka folur për aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë. “Prioritet i Ministrisë së Drejtësisë mbetet koordinimi i sistemit gjyqësor”, ka thënë Lajçi.

Panelisti tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri ka bërë vërejtje veçanërisht për integritetin e institucioneve dhe luftës së tyre ndaj korrupsionit. “Ashtu si i kemi pasur zgjedhjet, ashtu i kemi edhe institucionet – të brishta. Është shumë vështirë të luftohet korrupsioni nga vetë ata që dyshohen për korrupsion”, ka thënë Beqiri. Ai ka folur edhe për siç ka thënë mungesën e pavarësisë së agjencioneve shtetërore.

Ndërkohë, Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së, ka vlerësuar se studimi i KDI-së duhet të shërbejë si material pune për institucionet. “Studimi është një material i vlefshëm për Kosovën, për institucionet dhe mendoj se do të ketë efekt”, ka thënë Gjini.

Nga ana tjetër, kryetari i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci e ka vlerësuar studimin e KDI-së, ndërkohë ka paraqitur punën në sistemin gjyqësor. “Besimi i qytetarëve për sistemin e gjyqësisë ka lëvizur”, ka thënë Peci, ndërkohë ka shtuar se lëndët për korrupsionin kanë prioritet më të madh në gjykata.

Kryeprokurori i shtetit ndërkaq është pajtuar me konkluzionet e studimit, por ka thënë se gjatë këtij viti ka pasur përmirësime në prokurori. “Sa i përket prokurorisë së shtetit, shumica e konkluzioneve kanë të qëlluara - për vitin e kaluar. Mirëpo në ndërkohë ka pasur ndryshime në prokurori”, ka thënë ai.

Panelisti tjetër, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Lekë Musa ka folur më shumë për gjendjen në sektorin e biznesit. “Biznesi në një farë forme është bashkëpjesëmarrës në korrupsion. Ndërsa, i  takon shtetit që të parandalojë hapësirën për korrupsion”, ka thënë Musa.

Në diskutimin e hapur ndërkohë është diskutuar për institucionet veç e veç dhe performancën e tyre.

Qëllimi kryesor i studimit është vlerësimi i masave mbrojtëse dhe i përpjekjeve kundër korrupsionit (përkufizuar nga TI si “shpërdorim i pushtetit të besuar për përfitim privat”). Studimi është kryer në pajtim me termat ndërkombëtar të referencës, si dhe me udhëzimet ndërkombëtare, të përcaktuara nga Departamenti për Politika dhe Hulumtime i Sekretariatit të Transparency International në Berlin.

Shtyllat apo sektorët të cilat janë vlerësuar përgjatë  hulumtimit përfshinë: Ekzekutivin, Legjislativin, Gjyqësorin, Agjencionet e sundimit te ligjit, Sektorin  Publik, Avokatin  e  popullit, Zyrën e Auditorit të  Përgjithshëm, Komisioni Qendror Zgjedhor, Partitë Politike, Agjencionin Kundër Korrupsionit, Shoqërinë Civile, Sektorin e Biznesit, Mediat dhe Qeverisjen Lokale.  Funksionimi i këtyre shtyllave është vlerësuar në disa aspekte apo përmes indikatorëve të  ndryshëm siç janë: kapaciteti, qeverisja dhe roli i tyre në luftën kundër korrupsionit. Projekti është përkrahur nga organizata UNDP  në Kosovë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)