Partia e Petroviqit do të marrë pjesë në zgjedhje edhe në Veri
Prishtinë, 20 gusht - Lideri i Partisë së Pavarur Liberale, Sllobodan Petroviq, ka deklaruar se kjo parti do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në Kosovë, përfshirë edhe pjesën veriore.
Zoti Petroviq, që është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, i tha agjencisë beogradase Beta se në harmoni me kushtet e përgjithshme të njohura dhe situatën në pjesën veriore të Kosovës, Partia e Pavarur Liberale atje do të ketë një lloj tjetër të fushatës zgjedhore.
Sipas tij, simpatizuesit dhe anëtarët e partisë së tij në këtë pjesë të Kosovës, tashmë kanë shprehur dëshirë për të dalë në zgjedhjet lokale në Kosovë më 3 nëntor.
Sa më tepër që zgjedhjet të jenë cilësore, sa më tepër që atmosfera të jetë e mirë, që njerëzit të munden lirisht të marrin pjesë dhe pa pasoja ta shprehin vullnetin e tyre në zgjedhje, në këto kushte edhe ne, besoj, do të kemi mbështetje edhe më të madhe për politikën tonë, tha Petroviq.
Ai është shprehur i bindur se zgjedhjet lokale në Kosovë, do të kalojnë në mënyrë të qetë, sepse edhe bashkësia ndërkombëtare është e interesuar për këtë proces.