19 Janar 2025

Partia e Fortë rrit pagat e të papunëve për 350%

Prishtinë, 26 mars - Partia e Fortë ka vendosur që të rrisë pagat për 40% të popullatës, pjesën që sot janë të papunë. Përmes një komunikate për media, ky subjekt ka deklaruar se “në frymën e rritjes së madhe ekonomike që po e përjeton Kosova vitet e fundit, e veçanërisht në javët që kemi lënë pas, kemi vendosur që të kontribojmë dhe më tutje në këtë hap të përparimit”.


Sipas tyre rritja prej 350% për pagat e të papunëve është gjëja më normale që një parti e profilit të lartë si Partia e Fortë mund të bëjë. Pas konsultave edhe me ekspertët partiak të ekonomisë dhe të matematikës kryetari Visar Arifaj e ka vendosur rritjen për këtë kategori të gjërë të popullatës.
 
“Jam i bindur se rritja e pagave do të ndihmojë qytetarët e papunë që edhe ata të kenë rast t’i shijojnë pushimet verore. Sipas konsultave me grupin punues, mund të garantojmë që prej sivjet, vera do të jetë për të gjithë,” ka thënë kryetari Arifaj në një takim të partisë derisa në ekranin e tij të kompjuterit shikonte fotografi të qytetarëve të papunë.
 
Ndërkohë që për këtë rritje janë treguar shumë të ngazëllyer edhe nënkryetarët e partisë. Sipas tyre është gjë e mirë rritja për 350% e pagave për të papunët, megjithëse duhet të kemi kujdes që të vendosim edhe taksa në këtë pjesë të popullatës.


Sipas projektit 1620/A1 është paraparë që në fakt papunësia të taksohet duke shtyrë kësisoj popullatën që të dalë nga papunësia, pra që ata të mos jenë të papunë. Por, ky projekt duket se për momentin është pezulluar dhe zëvendësuar me projektin e koduar 3500/A2.
 
Ekspertët e PF-së kanë konfirmuar se rritja prej 350% nuk do të ndikojë fare në buxhetin e shtetit dhe është në përputhje të plotë me politikat e partnerëve tanë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Banka Botërore (BB).
 
“Shpresoj se ky akt nuk do të perceptohet si pjesë e fushatës parazgjedhore por si një akt i vullnetit të mirë dhe respektit që kam për popullatën në përgjithësi. Ky është vetëm një borxh që ua kemi të papunëve,” ka thënë në fund kryetari lexhendar Visar Arifaj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)